Sinani: Luftëtarit, më shumë vëmendje
Flet autori i golit të dytë ndaj Elbasanit
Luftëtari, pas një dite pushimi, dje ka zbritur në fushën e stërvitjes, atje ku ka nisur përgatitjet për ndeshjen e javës së tretë ndaj Tërbunit në Pukë. Është një nga dy transfertat radhazi që bluzinjtë e Bellait do të kenë këto dy javë, sepse fill pas Tërbunit, ata do të jenë në Tiranë përballë Dinamos. Para fillimit të stërvitjes, teksa më pas Bellai ka bërë dhe analizën e ndeshjes të së shtunës, futbollistët kanë diskutuar me njëri-tjetrin për barazimin e papritur ndaj Elbasanit. Aq më tepër që gjirokastritët patën gjetur dhe forcën përmbysëse, ndërsa nga disavantazhi i pjesës së parë 0-1 për miqtë, kanë kaluar në 2-1, ndërsa autori i golit të dytë të vendësve ishte mesfushori 29-vjeçar Besmir Sinani, i cili ka qenë dhe i gëzuar, por dhe i zhgënjyer.
Dhe në një prononcim për Gazeta e Sportit, Sinani do të deklaronte: Duhet ta lëmë prapa barazimin e papritur me Elbasanin në fushën e tonë. Ajo që duhet të pranojmë është fakti se askush nga ne nuk e mendonte këtë rezultat, teksa ishim përgatitur për tiu gëzuar fitores së ndeshjes së parë. Përgjegjësia e barazimit, që ka ardhur në sekondat e fundit të ndeshjes, bie tek e gjithë skuadra, duke më përfshirë dhe mua këtu. Jemi një grup lojtarësh që nuk dorëzohemi lehtë, pavarsisht barazimit që morëm.
Jam përpjekur shumë në ndeshjen me Elbasanin që ti zbatoj me përpikmëri të gjitha detyrat e vëna nga trajneri, kuptohet për të ndihmuar sa më shumë për fitoren e ndeshjes. Kemi një skuadër shumë të mirë, që e ka forcën e reagimit. Dhe shembullim e dhamë kur shënuam dy gola për dhjetë minuta, njëri më i bukur, se sa tjetri.
Por barazimi ishte fati i kësaj ndeshje. Tashmë e kemi lënë pas këtë ndeshje dhe jemi duke menduar për transfertën e vështirë me Tërbunin.Jemi skuadër që luajmë futboll cilësor, gjë që do ta bëjmë dhe në Pukë, me qëllimin e mirë për të marrë një tjetër rezultat pozitiv, edhe pse do të jetë e vështirë. Dhe e them me bindje se ne do të jemi dominuesit e Kategorisë së Parë, ka përfunduar qendërmbrojtësi me eksperiencë, Besmir Sinani.
