E Martë, 3 Nëntor 2026

Aromë festash në Shtëpinë e Bardhë, Zonja e Parë zbulon dekorimet, në Hollivud u mbajt Parada e Krishtlindjes

Duket se sezoni i festave të fundvitit ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zonja e Parë Xhill Bajden të hënën hapi dyert e Shtëpisë së Bardhë, ku zbuloi për gazetarët dekorimet për sezonin e festave. 98 pemë Krishtlindjesh, më shumë se 142 mijë drita dhe gati 34 mijë objekte zbukurojnë sallat e Shtëpisë së Bardhë në mënyrë të tillë që Zonja Bajden shpreson se do të frymëzojë vizitorët për të përjetuar “magjinë, mrekullinë dhe gëzimin” e sezonit, që është edhe tema e saj për dekorin e festave.

Pema zyrtare e Krishtlindjes e Shtëpisë së Bardhë, një bredh 18.5 metra i lartë, ka zënë vendin e saj në Dhomën Blu. Më herët, gjatë mbrëmjes së të dielës u zhvillua edicioni i 91-të i Paradës së Krishtlindje së Hollivudit.

Mijëra njerëz u vendosën përgjatë rrugës në formë U-je 3.2 milje të gjatë për të ndjekur më shumë se 90 personazhe të famshëm dhe në përfundim të ceremonisë vetë Babagjyshin e Vitit të Ri.

Rreth 5 mijë pjesëmarrës u bënë pjesë e kësaj parade të përvitshme që i ka fillesat në shekullin e kaluar. Ky aktivitet festiv mbahet që nga viti 1928, me përjashtim të viteve 1942- ‘44 për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe në vitin 2020, kur u anulua për shkak të pandemisë së koronavirusit.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›