E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisen dy të dënuar nga burgu i Idrizovës

Shkup, 22 gusht -  Dy të burgosur janë arratisur sot në mëngjes nga burgu i Idrizovës, kumtoi Drejtoria për kryerje të sanksioneve pranë Ministrisë së Drejtësisë në Shkup.

Nëpunësit, të cilët kanë qenë në vendet e rojës ku është realizuar arratisja, janë suspenduar.

Njëri i arratisur, shkupjani Usain Rijamondo ka qenë duke vuajtur dënimin me burg prej një viti e gjashtë muajve për dy vepra penale "vjedhje të rënda", në shtëpinë ndëshkuese përmirësuese "Idrizovë" nga maji i këtij viti.

Personi tjetër i dënuar, Oliver Kojçev nga Kavadari, është dënuar për vepër penale "paraqitje e rreme" dhe "lëndim i rëndë trupor", me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet e pesë muaj. Kojçev dënimin me burg ka filluar ta vuajë më 4 shtator të vitit 2009.

Rijamondo dhe Kojçev mëngjesin e sotëm rreth orës 5, duke depërtuar nëpër grilat e dritares së banjës dhe me përdorimin e një dërrase kanë arritur ta kalojnë murin rrethues të burgut.

Arratisja është vërejtur në mëngjes rreth orës 6, gjatë kontrollit të video materialeve të xhiruara nga kamerat. Menjëherë është organizuar kërkimi rreth murit dhe rrethinës së gjerë, është kërkuar edhe në pjesën e mbyllur të institucionit, si dhe është bërë kontrollimi i të gjitha objekteve, transmeton Alsat-M, kumtesën e policisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›