“Arratiset” nga leja, në kërkim i burgosuri, i kishin mbetur 3 vjet
Lulzim Paja, 37 vjeç, kishte vuajtur 15 vjet nga dënimi për një vrasje në vitin 1997. Drejtori i Burgut: Leja sipas rregullave, kishte edhe pak kohë për të vuajtur dënim, nuk pritej arratisja
Kishte vuajtur 15 vjet dhe nga dënimi i kanë mbetur vetëm tre, por Lulzim Paja ka shfrytëzuar një leje nga burgu për të mos u kthyer, duke rrezikuar dënim të ri nëse arrestohet. Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim Lulzim Pajën 37 vjeç, me banim në fshatin Shtermen në Elbasan, pasi ka thyer lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgut të Peqinit.
Lajmi konfirmohet edhe nga drejtori i burgut të Peqinit, Dashamir Xhika. 37-vjeçari ishte dënuar me 17 vjet burg për veprat penale të vrasjes nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje, ngjarje e ndodhur në vitin ‘97. Autori kishte kryer 15 vite burg e kishte përfituar 2 javë leje nga drejtoria e burgut për sjellje të mirë e plotësim kriteresh. Por të dielën, kur përfundonte afati i lejes, nuk është rikthyer në institucion, duke e thyer atë.
Drejtoria e burgut Peqin ka denoncuar në policinë e Elbasanit, por autori nuk është gjetur në banesë. Ndaj tij është ngritur menjëherë akuza e thyerjes së lejes duke rënduar masën e dënimit. Tashmë ai do të gjykohet edhe për këtë vepër penale e rrezikon edhe disa vite të tjera burg. Policia ka shpërndarë foton e autorit dhe është në kërkim të tij.
Drejtori i burgut të Peqinit bëri të ditur se Lulzim Paja kishte përfituar leje konform të gjitha rregullave që përmban rregullorja e burgjeve dhe se thyerja e saj përbën vepër penale. Ky është një ndër rastet e rralla të thyerjes së lejeve nga të dënuar të këtij institucioni dhe autoritetet e burgut kishin besuar se autorit i kishte mbetur vetëm pak kohë për të përfunduar dënimin dhe se nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë. Prokuroria ka nisur menjëherë çështjen penale. F.S.