E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta vajza e Aleksandër Xhuvanit

Jolanda Klosi (Xhuvani) u lind në Elbasan më 12 gusht 1922, si fëmija e tretë e Aleksandër Xhuvanit dhe u nda nga jeta më 5 dhjetor. Në familjen e gjuhëtarit dhe pedagogut të shquar, njërit prej themeluesve të sistemit arsimor të Shqipërisë dhe drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit, Jolanda u rrit me dashurinë për vendin e saj dhe gjuhën shqipe. Qysh në vitet 1940-1941 me zgjimin dhe rritjen e Lëvizjes antifashiste, fëmijët e Xhuvanit: Ptolemeu, Pleurati, Jolanda, Genci, deri dhe Semirami e vogël, u bashkuan me të, kush drejtpërdrejt në luftime e kush me veprimtari në shkolla e gjetiu në qytetin e Elbasanit ose krahinat përreth. Shërbëtorët e Gestapos e arrestuan dy herë, në janar dhe në korrik 1944, kur mundi të arratisej dhe të hidhej në terren në krahinën e Zarranikës. U bë anëtare e Partisë Komuniste prej shkurtit të vitit 1943. Me krijimin e Brigadës së 17-të Sulmuese në Gjinar të Elbasanit, bëhet partizane e saj dhe zv.komisare e Batalionit të Dytë. Mori pjesë në disa luftime, si në betejën e madhe të Mushqetasë, në nëntor 1944. Pas çlirimit pati disa funksione, si në komitetet e rretheve të Librazhdit, Tiranës. U martua me Bilbil Klosin dhe pati pesë fëmijë e shumë nipër e mbesa.

Deri kur doli në pension më 1972, Jolanda Klosi ka dhënë mësim e ka qenë drejtuese në disa institucione si: Politeknikumi “7 Nëntori“, gjimnazi “Qemal Stafa“, Instituti Pedagogjik, Instituti Bujqësor Kamëz, Instituti i Lartë i Arteve. Breza të tërë mësuesish, agronomësh, aktorësh e artistësh e të tjerë e kujtojnë përherë si një njeri të drejtë, e të respektuar. Humbjet e mëdha që pati në jetë, nuk e thyen dhe ajo mbeti një grua e mençur dhe fisnike, nëna që rriti dhe edukoi pesë fëmijë, por edhe mbesa e nipër në familjen e Klosëve. Nga Njazi Luzati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›