E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi në rrethim, Prendi ishte me tre të tjerë, vetëm ai s’u dorëzua

Policia zbardh versionin zyrtar të vrasjes së të kërkuarit Elidon Prendi nga RENEA. Katër ditë më parë banda e grabitësve kishte vjedhur dhe dhunuar një çift dhe i kishin lënë të lidhur në shtëpi

Kanë grabitur një çift dhe më pas i kanë lënë të lidhur në shtëpi, derisa fqinjët i kanë gjetur dhe i kanë liruar. Ky ishte fillimi i fundit tragjik të Elidon Prendit, i cili u diktua nga kjo grabitje dhe mbeti i vrarë në rrethimin që policia kishte bërë për të arrestuar atë dhe 3 të tjerë pjesëmarrës në vjedhje. Prendi u vra gjatë përplasjes me forcat e RENEAS, dy ditë më parë në fshatin Gurëz të rrethit të Kurbinit. Ndërsa tre shoqëruesit e tij, të cilët u dorëzuan, do të përballen me akuzat, pasi sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës dyshohet të jenë të implikuar me Prendin në grabitje të tjera dhe jo rastësisht ata kanë qenë pranë viktimës ditën e ngjarjes.

Grabitja

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se Elidon Prendi, Marjan Kala, Mentor Vuka dhe Alfred Marku, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Gajush të Lezhës, katër ditë më parë, të armatosur me automatik kallashnikov dhe me maska në kokë, kanë hyrë në banesën e shtetasit P.C. duke thyer derën me forcë, pasi kanë përfituar nga fakti që kjo shtëpi ishte largësi me shtëpitë e tjera, dhe nën grykën e armëve kanë lidhur me litarë burrë dhe grua, duke u bërë presion atyre për të treguar ku i kishin fshehur paratë e dërguara nga fëmijët e tyre në emigrim. Pasi i kanë mbajtur nën terrorin e armëve për rreth 20 minuta, kanë nisur edhe bastisjen e shtëpisë së tyre. Në momentin që ata po largoheshin nga banesa ku kishin lënë të lidhur dy bashkëshortët, rastësisht janë fikur dritat. Në një situatë paniku, nga pakujdesia njëri nga grabitësit ka shkrehur kallashnikovin me breshëri, në pragun e banesës që kanë grabitur, e më pas, duke përfituar edhe nga errësira, mendohet se janë larguar nëpërmjet linjës hekurudhore Milot - Lezhë. Të shtënat e kallashnikovit kanë zgjuar banorët rreth orës 02.00 të natës dhe kjo ka bërë që me të ardhur dritat familjarët që jetonin në afërsi të shtëpisë së P.C. të mbërrinin në banesën e tyre, duke gjetur burrë dhe grua të lidhur me litarë. Menjëherë i kanë zgjidhur dhe kanë lajmëruara policinë e Lezhës, e cila pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka kryer hetimet paraprake, ka zbuluar se ishin Marjan Kala, Mentor Vuka, Alfred Marku si dhe i ndjeri Elidon Prendi që kishin kryer grabitjen.

Rrethimi

Policia me të mësuar vendndodhjen e tyre në fshatin Gurëz të Kurbinit ka nisur aksionin e saj rreth orës 9.30 minuta të mëngjesit, duke rrethuar edhe banesën e dyshuar ku strehoheshin të kërkuarit. Ndërsa, duke ditur se katër personat e shpallur në kërkim ishin të armatosur dhe me frikën e ndonjë kundërpërgjigjeje të mundshme, policia e Lezhës dhe Kurbinit kanë kërkuar ndihmën e forcave të RENEA-s, të cilët kanë mbërriture menjëherë në Gurëz, duke nisur edhe operacionin. Ndërhyrja e forcave speciale ka bërë që Elidon Prendi, të tentonte të hidhte granatën në drejtim të tyre, ndërsa të tre të tjerët Marjan Kala, Mentor Vuka, Alfred Marku, që të gjithë nga Puka, nuk kanë rezistuar. “Forcat e RENEA-s, pas paralajmërimit me të shtëna në ajër, janë detyruar të qëllojnë mbi Prendin, i cili po tentonte heqjen e siguresës së granatës për ta hedhur në drejtim të specialeve, të cilët kishin rrethuar banesën dhe ndodheshin në murin rrethues të saj”, thanë burime nga policia. Pas ekzekutimit të Prendit, policia ka kryer dhe arrestimin e tre bashkëpunëtorëve të tij, Marjan Kala, Mentor Vuka si dhe Alfred Marku, ndërsa gjatë kontrollit të shtëpisë, mbi tavolinë ka gjetur dy kallashnikovë dhe dy granata si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Dy armët e sekuestruar pritet t’i nënshtrohen ekspertizës balistike, për të parë nëse janë përdorur apo jo në grabitjet e tjera. Ndërsa tre të arrestuarit janë duke u marrë në pyetje intensive, për të parë gjeografinë e grabitjeve të tyre dhe dokumentimin e një sërë grabitjesh të ndodhura në Pukë, Mirditë, Shkodër dhe Lezhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›