E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset një i dënuar nga burgu i Rrogozhinës, doli me leje, nuk u kthye më

RROGOZINE - Një i dënuar për vrasje largohet me leje 7 ditore nga burgu i Rrogozhinës e nuk rikthehet më aty. Burime nga ky burg bëjnë të ditur se 33-vjeçari Maksim Cenokaçi, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje me dashje dhe vjedhje me armë në bashkëpunim, kishte përfituar një leje 7 ditore nga drejtori i burgut të Rrogozhinës në 15 korrik, ndërkohë që ai duhej të ishte rikthyer në qelitë e burgut të hënën, por ende nuk është paraqitur për vijimin e vuajtjes së dënimit.

Policia e shtetit dhe ajo e Gjirokastrës, ku banon familja e Cenokaçit, kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh në zonë, por deri në këto momente mësohet se nuk ka asnjë gjurmë nga 33-vjeçari, duke bërë që ai të shpallet i arratisur. Babai i të dënuarit Sulo Cenokaçi, ka dënuar aktin e të birit, të cilit i mbeteshin edhe pak vite nga përfundimi i dënimit, ndërkohë që tashmë mbi të rëndon edhe një tjetër vepër penale. Ky nuk është rasti i parë i arratisjes s ëtë burgosurve, përmes lejes disa-ditore për të takuar të afërmit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›