E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, maskat i grabisin tregtares 300 gr flori me vlerë 1.2 mln lek

DURRES- Një tregtare bizhuterish në lagjen numër 17 në Durrës është grabitur me dhunë. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, në kohën kur tregtarja po kthehej me makinën e saj në banesë.
 
Tregtarja, Lavdije Kena, është sulmuar nga persona të maskuar dhe të armatosur të cilët i kanë grabitur çantën ku ajo mbante bizhuteritë, rreth 300 gramë flori me vlerë rreth 1.2 milionë lekë.
 
Autorët e grabitjes kanë vendosur para makinës një bllok guri, duke penguar lëvizjen e mjetit.
 
Tregtarja Kena nuk ka mundur të bëjë rezistencë, pasi dy personat që e grabitën ishin të armatosur.
 
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së qytetit bregdetar dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›