E Diel, 1 Nëntor 2026

"Arrest në shtëpi” për biznesmenin që vrau grabitësin

Gjykata vendosi sot masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për bisnesmenin Feim Llanaj, i cili tre ditë më parë, vrau një grabitës në shtëpinë e tij. Llanaj akuzohet për "vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike". 

 TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi sot masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për bisnesmenin Feim Llanaj, i cili tre ditë më parë, vrau një grabitës në shtëpinë e tij. Ai është konfrontuar fizikisht me dy grabitësit, të cilët ishin futur në banesën e tij për të vjedhur, duke qëlluar me armë zjarri njërin prej tyre. Hajduti ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa shoku i tij mundi të largohej.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Feim Llanaj tregoi para trupës gjyqësore ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në banesën e tij, pranë Unazës së Re, në Tiranë, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur tentuan ta vidhnin.
Sipas deponimeve të tij, ai kishte dalluar grabitësit dhe në konfrontim me ta u kishte marrë armën e zjarrit, tip pistoletë, me të cilën më pas kishte qëlluar ndaj tyre. Si pasojë, mbeti i vrarë njëri nga grabitësit, ndërkohë që tjetri ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Feim Llanaj akuzohet për "vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike", ndërkohë që grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
(e.n/ News24/ Balkanweb )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›