E Diel, 1 Nëntor 2026

Arresti për vrasjen e Elenit, Ilia Basho, rekurs në Gjykatën e Lartë

TIRANE Ilia Basho i bën rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të Apelit që caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Rekursi i të akuzuarit si organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho, më 2 shkurt 2012 në zonën e Shkozës në kryeqytet, është depozituar dje në Gjykatën e Lartë nga ana e avokatit të tij mbrojtës. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se mbrojtësi kundërshton vendimin e Apelit që la në qeli klientin e tij si të pambështetur në ligj dhe në prova. Më 7 mars, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Shkallës së Parë për lënien në masën e sigurisë arrest me burg të të dyshuarit Ilia Basho. Gjykata e Apelit, në vendim i vlerësoi të drejta pretendimet e organit të akuzës se Ilia Basho duhet të hetohet në gjendje arresti. Sipas Apelit, ajo çka krijonte dyshimet e arsyeshme se Ilia Basho mund të jetë organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij ishin deklarimet e dhëna në polici prej tij, si edhe të dashurës së tij Yllka Shehaj. Referuar vendimit të Gjykatës, në pyetjen e saj për të tretën herë në polici, Shehaj kishte pranuar lidhjen jashtëmartesore me Ilia Bashon, se kishte raporte intime të vazhdueshme me të, si edhe që i dyshuari i kishte premtuar martesë. Sipas Yllka Shehajt, i pandehuri i ka kërkuar asaj që ta priste sa të zgjidhte problemet me gruan, me të cilën do të ndahej. Ajo thotë: Më prit dhe pak, më prit deri me 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë, se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do ti kthehen dhjetë të tilla mbrapsh, thuhet në vendimin e Apelit. Po sipas argumentimit të gjykatës, provë që dyshohet se përfshin Bashon në krim është kërkesa që ai i ka bërë shtetasit Jonuz Muça pas ngjarjes. Sipas porosisë, Muça duhet të shkonte tek Yllka Shehaj dhe ti thoshte që të mos i telefononte Ilia Bashos për tre-katër muaj. Prokuroria e Tiranës ka pohuar se e ka deleguar në polici për zbardhje pjesën e dosjes, e cila flet për personin që ka qëlluar me armë Eleni Bashon. Ajo u vra me dy plumba në trup mbrëmjen e 2 shkurtit teksa po kthehej në banesë.                                ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›