KLD shpall vendet vakante në 16 gjykata të rretheve

Një nga mbledhjet e KLD
TIRANE Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpalli dje vendet vakante për pozicionin e kryetarit në gjashtëmbëdhjetë gjykata të ndryshme në vend. Vendimi i Këshillit u mor në mbledhjen e djeshme, e cila kryesohej nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i KLD-së. Burime zyrtare të KLD-së bënë të ditur se bëhet fjalë për katër gjykata apeli, atë të Durrësit Gjirokastrës, Korçës, si edhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Ndërkohë që gjykatat e shkallës së parë, për të cilat pozicioni drejtues është shpallur vakant, janë ato të Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës, Krujës, Kukësit, Lezhës, Matit, Pogradecit, Pukës, Sarandës, Tropojës dhe Vlorës. Mësohet se shpallja vakante e titullarit në këto gjykata është bërë për shkak të përfundimit të mandatit të këtyre kryetarëve të fundmë. Po sipas burimeve zyrtare, dje nga KLD u realizua procedura e hedhjes së shortit për delegimet e gjyqtarëve të gjykatave të shkallëve të para dhe të apeleve nga një gjykatë në tjetrën, sipas kërkesave të parashtruara në Këshill nga kryetarët e gjykatave. Kjo procedurë bëhet për shkak të konsumimit të gjyqtarëve në gjykata të caktuara, apo pamundësisë për të formuar trupa gjykuese për shkak të papajtueshmërive ligjore të gjyqtarëve. Një nga rastet më të fundit të këtij lloji është gjykimi i të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit. Pak ditë më parë, Apeli i Krimeve të Rënda i kërkoi KLD-së të delegojë gjyqtarë për këtë proces, pasi e ka të pamundur formimin e një pesësheje gjykuese me gjyqtarët ekzistues. Në mbledhjen e djeshme Këshilli pranoi edhe kërkesën e gjyqtares E. Gashi të Gjykatës Durrës, për leje pa të drejtë page për një periudhë 5-mujore. ar.ba
Vendet vakante në
1) Gjykatën e Apelit Durrës
2) Gjykatën e Apelit Gjirokastër
3) Gjykatën e Apelit Korçë
4) Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda
5) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat
6) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan
7) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër
8) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë
9) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës
10) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë
11) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat
12) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec
13) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë
14) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë
15) Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë
16)Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë