E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi kandidat, BE: Do monitorojmë zgjedhjen e Presidentit

Berisha dje gjatë takimit me Saninon

Drejtori i Zgjerimit në KE, Sanino, takim me Komisionin e Integrimit: Korrupsioni luftohet me heqjen e imunitetit.

Sanino: Heqja e imunitetit, shtyllë e rëndësishme kundër korrupsionit.

Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Këtë e bëri të ditur dje drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sanino gjatë takimit me Komisionin e Integrimit. Procesi i zgjedhjes së Presidentit do të jetë pjesë e gjykimit tonë për çështjen e statusit të vendit kandidat, është shprehur zyrtari i lartë evropian gjatë takimit në komision me deputetët e PD-së dhe PS-së. Paraditen e djeshme ai mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit ku Kryeministri Berisha i dorëzoi Planin e rishikuar të Veprimit, i cili këtë radhë është një kontribut i përbashkët me opozitën. Në këtë mbledhje kreu i qeverisë u shpreh se maxhoranca do të pranojë propozimin e opozitës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Është një plan i hartuar pas një pune shumë serioze të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, maxhorancës dhe opozitës, shoqërisë civile dhe me një ndihmë direkte serioze të Komisionit Europianë, u shpreh Kryeministri. Duke folur për heqjen e imunitetit, Berisha tha se unë kam shumë kënaqësi ta informoj z. Sanino se edhe pozita, edhe opozita janë dakord për heqjen e imunitetit. Kanë pasur kundërshti lidhur me rrugën ligjore të procedimit, por në këtë rast është qeveria ajo që do të bëjë kompromisin, do të pranojë atë formë që opozita e quan më të përshtatshme për heqjen e imuniteteve në Shqipëri. Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Stefano Sanino, vlerësoi se kjo është një nga shtyllat në luftën kundër korrupsionit. Ju, po ashtu z. Kryeministër, keni përmendur faktin e heqjes së imuniteteve si për deputetët në Parlament, por po ashtu edhe për gjyqtarët. Kjo është tepër, tepër e rëndësishme dhe madje mund të them se është edhe një nga shtyllat kryesore në luftën kundër korrupsionit. Ne si Bashkim  Europian do të mirëpresim një hap të rëndësishëm, që do të ishte ky, pra një marrëveshje për të hequr imunitete, sipas modaliteteve për të cilat do të bien dakord të gjitha forcat politike në vend, u shpreh Sanino. Duke u ndalur në çështjen e reformës zgjedhore, ai tha se ajo po ecën me ritme të kënaqshme. Ai tha se të 12-të rekomandimet janë të rëndësishme dhe ajo që Brukseli pret të shohë në të ardhmen është pikërisht angazhimi i klasës politike për plotësimin e tyre. Sanino vlerësoi në fjalën e tij punën e bërë deri tani nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe nga kreu i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati.

Sanino: Reformën zgjedhore mbylleni brenda 2 muajve
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian ka zhvilluar dje takime me Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe atë të Reformës Parlamentare. Burime nga takimi me deputetët e reformës zgjedhore bëjnë të ditur se zyrtari i lartë i Brukselit është shprehur se puna duhet të mbyllet brenda dy muajve të ardhshme, kohë në të cilën ky komision do të funksionojë. Ai është shprehur në takim se nuk duhet të ketë më shtyrje të afatit të këtij komisioni dhe se gjithçka duhet të mbyllet brenda këtyre 60 ditëve. Sanino gjatë takimit ka vlerësuar punën e bërë deri tani nga deputetët e maxhorancës dhe opozitës, ku është arritur të mbyllen tre kapituj të Kodit Zgjedhor si dhe disa dispozita për manipulimin e procesit zgjedhor.

Sanino, më shumë në Shqipëri se në Itali
Mbledhja e djeshme e KNI-së nuk ka kaluar pa batuta mes Kryeministrit dhe drejtorit të BE-së. Berisha tha se aq e shumtë ka qenë prania e BE-së në Tiranë, saqë z. Sanino, me shumë gjasa, më shumë ka qenë në vendin tonë, sesa në atdheun e tij. Vetë z. Sanino e ka vizituar Shqipërinë gjatë këtyre muajve, nuk është çudi, më shpesh se Italinë. , tha Berisha. Por Sanino nuk ka ngelur pa ia kthyer Kryeministrit batutën, duke thënë: Më vjen keq për një gjë, në fakt, se nuk kam mësuar ende gjuhën shqipe, pavarësisht shumë viteve që kam shpenzuar këtu. Ndoshta do të jetë një projekt i imi kur të dal në pension.

Bamir Topi: Do zbatoj Kushtetutën deri në fund
Presidenti Bamir Topi është shprehur dje në takimin me drejtorin e KE-së, Stefano Sanino, se do të zbatojë ligjin themeltar të shtetit deri në fund të mandatit. Deri në fund të mandatit si President i Republikës do të vijoj të zbatoj rigorozisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, në respekt të ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë dhe në interes të shtetasve shqiptarë për përmbushjen e ëndrrës së tyre europiane. Ai e vuri theksin te përfundimi i punës së reformës zgjedhore, miratimi i Gjykatës Administrative dhe pavarësia e mirëfunksionimi i institucioneve kushtetuese.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›