Arrestimet e SPAK në MB, PD : Operacioni u dekonspirua para 3 ditësh!

Partia Demokratike e opozitës ka reaguar në lidhje me aksionin anti-korrupsion të SPAK në Ministrinë e Brendshme, ku tetë persona u ndaluan pas akuzave se kanë abuzuar me tenderin për uniformat e Policisë. Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, tha se ky operacion i SPAK u dekonspirua dhe se Ministria e Brendshme u njoftua 3 ditë më parë, duke i dhënë kohë personave të përfshirë në këtë aferë, që të kenë mundësi të fshijnë provat.
“Dy vite më parë, nga kjo foltore, ne kemi denoncuar aferën korruptive që fshihej pas tenderit të Ministrisë së Brendshëm për unifromat e policisë” kujtoi Alibeaj.
“Atë kohë Sandër Lleshaj tha se ne po shpifnim dhe se nuk njihnim ligjin në fuqi. Madje, ministri i Ramës, që ka shpenzuar 350 euro nga taksat e shqiptarëve për një kapele, shkoi deri aty sa të padisë Partinë Demokratike për shpifje, duke kërkuar përgënjeshtrim të deklaratës dhe shpërblim me shumën 1 milionë lekë nga Partia Demokratike” tha zyrtari i PD.
“Paradoksalisht, teksa e vërteta po shpaloset përpara shqiptarëve, gjyqi i ngritur nga ata që vodhën miliona euro me një tender, vazhdon” shtoi zoti Alibeaj me ironi.
Ai tha se Partia Demokratike është dijeni për faktin që Ministria e Brendshme është njoftuar për këtë operacion tre ditë më parë, duke u dhënë të përfshirëve në këtë aferë të gjitha mundësitë për të fshehur provat.
“Kjo është e pafalshme!” tha zoti Alibeaj duke shtuar se “Goditja e kësaj afere nuk mund të konsiderohet e plotë, nëse drejtësia nuk troket te dera e Plarent Ndrecës, Sandër Lleshaj dhe Edi Ramës”.
“Shqiptarët e dinë që peshku qelbet nga koka!”, tha deputeti i PD Enkelejd Alibeaj.