Arrestimet në Luginë, reagon Qeveria shqiptare: Akt terrori policesk për qëllime të ulëta

Ndërsa i ka cilësuar akt terrori policesk arrestimet në Luginën e Preshevës, Qeveria Shqiptare u ka bërë thirrje të shqiptarëve në të tri komunat të marrin pjesë masive në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim dhe të dënojnë me votën e tyre aktet primitive të dhunës zyrtare të ushtruar nga autoritet e Beogradit.
Përmes një deklarate për mediat Qeveria shqiptare thekson: “Qeveria Shqiptare u bën thirrje shqiptarëve në të tri komunat të marrin pjesë masive në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim dhe të dënojnë me votën e tyre aktet primitive të dhunës zyrtare të ushtruar nga autoritet e Beogradit. Qeveria Shqiptare dënon me ashpërsi arrestimet, keqtrajtimet, bastisjet e shqiptarëve nga falangat serbe në Luginën e Preshevës, ditën e heshtjes elektorale, si një akt terrori policesk, me qëllime të ulëta politike.
Qeveria mbështet plotësisht deklaratën e këshillave komunale të tre komunave të Luginës së Preshevës për këto akte të shëmtuara të autoriteteve të Beogradit që, me dhunë dhe terror, duan të pengojnë shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.