Kundër arrestimeve serbe, protestë në Luginën e Preshevës: Serbi, ndal dhunën!

Reagojnë ndërkombëtarët: Tensionet cenojnë paqen në rajon
Liderët e partive politike shqiptare dhe të institucioneve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës protestojnë kundër valës së arrestimeve aty. Liderët kanë thënë se është më se e domosdoshme mbajtja urgjente e Kuvendit Kombëtar të Këshilltarëve të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës. Përmes protestës masive ata kërkojnë ndaljen e dhunës ndaj shqiptarëve nga pushteti serb.
Në shenjë reagimi ndaj arrestimeve të tetë ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së, përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të Luginës së Preshevës, e kanë dënuar aktin e ulët të Qeverisë së Serbisë për arrestimet të cilat sipas tyre kanë për qëllim krijimin e pasigurisë, panikut dhe zbrazjen e Luginës nga shqiptarët. Protestuesit vlerësojnë se bëhet fjalë për aktakuza të trilluara, procese të montuara politike, fotografi e xhirime gjatë arrestimeve sikur të ishte spektakël, Serbia, pas krijimit të përplasjeve në Medvegjë, tani po përpiqet që këtë ta bëjë edhe në Bujanoc thonë përfaqësuesit e partive politike shqiptare.
Kryetar i Komunës në Bujanoc, Shaip Kamberi, ka thënë për televizionin publik të Kosovës se arrestimet vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në këtë rajon, janë tërësisht të motivuara politikisht me qëllim krijimin e një shumice artificiale për serbët. Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin Republikan, theksoi edhe në këtë takim se arrestimet e sotme janë vazhdimësi e dhunës shtetërore. Aksioni i sotëm është i dyti i ndërmarrë nga policia serbe në Luginën e Preshevës për arrestimin e grupeve që akuzohen se kanë kryer krime lufte. Sot janë ndaluar 6 persona.
Siç dihet, Gjykata Serbe e ka rikthyer në shqyrtim procesin gjyqësor kundër 17 qytetarëve shqiptarë të Preshevës lidhur me rastin e koduar ‘Grupi i Gjilanit’, të cilët u akuzuan për krime lufte ndaj serbëve në luftën e Kosovës në rajonin e Gjilanit. Por, provat dhe denoncimet e bëra dolën të dështuara dhe pa argumentuara para gjykatës serbe, e procesi është kthyer për rigjykim.
Sekretari i OKB, Ban Ki-Moon
“Konfliktet e fundit vazhdojnë të shkaktojnë rrezik për paqen në rajon”, deklaron sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ban Ki-Moon është shprehur në një raport, se, tensionet dhe përplasjet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, veçanërisht në dy muajt e fundit.
“Megjithëse Prishtina dhe Beogradi kanë arritur rezultate në dialogun në Bruksel si dhe progres në agjendat e tyre përkatëse Evropiane, tensionet dhe konfrontimet në terren vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, thuhet në raport.
Siç raporton “Koha Ditore”, Sekretari i OKB-së përmend një nga një arrestimet nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, të cilat sipas tij janë përcjellë me retorikë nxitëse të tensioneve nga të dyja palët.
Jahjaga kërkon lirimin e të arrestuarve
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur shqetësimin e saj për aksionin e dhunshëm të Policisë së Serbisë në Luginën e Preshevës dhe arrestimin e disa të rinjve shqiptarë nën akuzën për krime të luftës. Sipas deklaratës dërguar mediave, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se aksioni ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri te popullata shqiptare, duke nxitur shpërnguljen e saj nga trojet e veta, në këtë pjesë të shtetit të Serbisë, dhe duke ia mohuar të drejtat e saj legjitime.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Serbisë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre pa frikë nga përndjekjet policore”, thuhet në reagimin e presidentes.
Jahjaga, pos tjerash, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve serbe që ta zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Konçulit dhe të lirojnë menjëherë të gjithë të arrestuarit.
Presidentja fton shqiptarët e Luginës së Preshevës që duke respektuar ligjet e vendit dhe në harmoni me konventat ndërkombëtare, të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunat e Medvegjes, të Bujanocit dhe të Preshevës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e vet legal dhe legjitim, të kenë pushtetin në këto troje, në mënyrë që vet të vendosin për të ardhmen e tyre Në këtë si gjithherë do ta kenë përkrahjen e Republikës së Kosovës dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Të premten, policia serbe ka arrestuar tetë shqiptarë në Luginën e Preshevës nën dyshimet për, siç është thënë, “krime lufte kundër civilëve”.