Politika nderon dëshmorët e Atdheut. Berisha: Shqipëria ka përmbushur aspiratën e lirisë. Basha: Memorial në Tiranë në përkujtim të komandant Shpendit
Presidenti Topi mungon në homazhe, Presidenca e zëvendëson atë me dy zonja të panjohura
Kreu i opozitës, Rama i vetëm në homazhe, s’e shoqërojnë aleatët e opozitës
Politika nderoi sot dëshmorët e Atdheut, me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut. Në ceremoninë në memorialin “Nënë Shqipëri”, kreu i qeverisë shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha dhe nga mjaft personalitete të mazhorancës. Kryeministri Berisha deklaroi se Dita e Dëshmorëve është përkujtimi i të rënëve të të gjitha kohërave për lirinë dhe integrimin e vendit.
“Sot është dita e nderimit dhe përuljes më të thellë para të gjithë atyre që flijuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, rininë për të fituar pavdekësinë në altarin e kombit. Fjalët nuk mund të shprehin atë që ndjen zemra për të gjithë ata që flijuan jetën që ne sot të festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të lirë në trojet tona. Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit, sot shqiptarët janë të lirë,kudo që ndodhen. Luftuan që trojet shqiptare të bashkohen, sot trojet tona janë të lira në përpjekje për tu bashkuar me të ardhmen europiane që meritojnë. 100 vjet më parë burra dhe gra u flijuan për pavarësinë, në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët po prapë luftuan me armikun më barbar çliruan vendin në kuadër të një koalicioni antifashist botëror. Më pas Shqipëria ra në zgjedhën më të egër që kishte njohur në historinë e saj, duke e shkëputur nga trungu europian”- u shpreh kryeministri Berisha.
Ai u shpreh se 5 Maji i këtij viti i gjen shqiptarët më të sigurt se kurrë, pas hyrjes në NATO dhe pas marrjes së liberalizmit të vizave. “Gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve është një thirrje për Shqipërinë dhe shqiptarët, që të nderojë dhe të konsolidojnë lirinë. Pas 100 vitesh sot ne duhet të përulemi me nderimin më të madh 100 herë ndaj atyre që sakrifikuan jetën për lirinë kombëtare. Secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron vendin e tij që 100 vjet më parë përpëlitej mes ekzistencë dhe mos-ekzistencës sheh sot një Shqipëri në NATO, një Shqipëri që rend për të kapur dekadat e humbura që ju grabitën nga diktatura dhe pushtimet”- theksoi Kryeministri.
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar sot homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Zoti Basha është përulur me nderim dhe respekt për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit, lirinë e kombit dhe një jetë të sigurt për të gjithë qytetarët shqiptare. Në këtë ditë të nderimit të heronjve tanë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar vizita në familjet e Dëshmorëve të Kombit.
Basha zhvilloi një vizitë në familjen e Heroit të Popullit Sulejman Sefer Cenomeri. Zoti Basha theksoi se më e pakta që mund të bëjmë për heronjt e kombit, ata që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, është t’i nderojmë dhe me punën tonë të ndërtojmë qytetin që ata kanë ëndërruar rreth 70 vjet më parë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha vizitoi edhe familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Zoti Basha vlerësoi kurajon dhe guxim e Azemit për t’u vënë në krye të Lëvizjes Studentore që çoi në rrëzimin e regjimit diktatorial dhe i hapi rrugë realizimit të ëndrrave të shqiptarëve anëtarësimit në NATO, lëvizjes së lirë në mbarë Europën dhe ecjes drejt anëtarësimit në BE. Në këtë ditë, një nderim i veçantë shkon dhe për ish ushtarët e UÇK-së. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal në familjen e Heroit të Kombit Skerdilajd Llagami, i njohur me pseudonimin “Komandant Shpendi”. Zoti Basha u angazhua për ngritjen në Tiranë të një memoriali në përkujtim të komandant Shpendit i cili u bë pjesë e tri luftërave për liri, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, më pas në atë të Luginës së Preshevës si dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Skerdilajd Llagami ra më 29 qershor të vitit 2001 në fshatin Begovi afër Tetovës.
LSI, homazhe për dëshmorët
Ceremonisë së homazheve të dëshmorëve, në ditën e përkujtimit të tyre 5 maji, nuk i kanë munguar dhe figura të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në ditën e përkujtimit të të rënëve të të gjitha kohërave për lirinë dhe integrimin e vendit në memorialin “Nënë Shqipëri”, Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e cilësoi nderimin e dëshmorëve si shenjën e parë që një komb tregon respektin për veten. Sipas tij kjo ditë përkujtimore shërben si referencë krenarie e lavdie dhe për më tepër një angazhim për të përmbushura aspiratat e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.
“5 maji është dita e nderimit për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për liri, 5 maji është një referencë lavdie dhe krenarie, është 70- vjetori i rënies së Qemal Stafës, figurë e shquar e lëvizjes dhe e Luftës ANÇ. Nderimi për të rënët është shenja e parë që një komb ka respekt për vetveten, është themeli që ngrihen të gjitha vlerat e një shoqërie. Ne sot në 100-vjetor marrim përgjegjësinë të punojmë pa u lodhur për të përmbushur dëshirat dhe aspiratat e tyre”- tha Rama.
Kjo ditë njihet si dita e Dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare, e shënuar për kombin, nga pushteti komunist, në nderim të 28 mijë dëshmorëve të luftës 1939-1945.