E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i 2 policëve kosovarë, MPJ dënon me forcë aktin

PRISHTINE- Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dënon me forcë arrestimin e të dy policëve të Republikës së Kosovës.
Një deklaratë për shtyp nga MPJ vlerëson se "akte të tilla kriminale të motivuara nga struktura e mentalitete të vjetra e arkaike nuk i shërbejnë aspak frymës së re të bashkëpunimit e fqinjësisë së mire në rajon mes vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian".

"MPJ kërkon nga autoritetet përgjegjëse në Beograd të kthejnë në vendin e tyre policët e Republikës së Kosovës dhe të heqin dorë nga përsëritja e akteve të tilla në të ardhmen", përfundon deklarata zyrtare e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Autoritetet e Serbisë arrestuan të premten dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në zonën kufitare me Kosovën, pasi sipas tyre "ishin të armatosur dhe kjo përbën shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999".

Ky akt shkaktoi reagime të ashpra në Prishtinë nga ana e qeverisë së Kosovës, Presidentes së vendit Atifete Jahjaga, etj.

Vëllai i policit: Samiu është mirë, nuk po i keqtrajtojnë
Shefki Beqiri, vëllai i policit të arrestuar, Sami Beqiri, gjatë një bisede telefonike për “Klan Kosova”, ka bërë të ditur se vëllai i tij, i arrestuar të shtunën nga autoritetet serbe, është mirë.

“Vëllai pas një kohe më ka telefonuar më ka bërë të ditur se janë në burgun e Kurshumlisë dhe se janë mirë dhe nuk po i keqtrajtojnë. Ai më ka thënë se ishin duke patrulluar brenda territorit të Kosovës dhe nuk është e vërtetë se janë futur në Serbi”, ka rrëfyer Shefkiu.

Sami Beqiri dhe Shukri Binaku u arrestuan nga policia serbe, teksa po patrullonin në kufirin Kosovë-Serbi, në Merdarë. Sipas Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ata kishin hyrë në zonën e Serbisë, dhe për këtë arsye edhe janë arrestuar.

31 Mars- Serbia arreston dy policë të Kosovës në Merdarë
Policia e Serbisë sot në orën 10:30 në rajonin e Merdarit ka arrestuar dy policë të Kosovës. Lajmin e konfirmon ministri serb i Punëve të brendshme Ivica Daçic. Sipas tij dy kosovarët ishin të armatosur me dy pushkë automatike, dy revole dhe aparaturë speciale për matjen e largësisë

“Në pranga kanë rënë Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri”, ka thënë Daçic në konferencën e shtypit të organizuar për këtë rast .

"Çfarë kanë kërkuar ata në territorin e Serbise dhe sipas cilës marrëveshje?”ka  thënë Daçic, duke shtuar se Serbia nuk do t’i durojë më këto akte.

(er.nu/d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Jahjaga: Arrestimet sulm mbi integritetin territorial të Kosovës Qeveria e Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të policëve Ministria e Brendshme: Policia serbe mori peng 2 policët kosovarë VV: Serbia në vend të kërkojë falje, sillet si sundues DASH reagon ndaj arrestimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›