Arrestimi i Metës, Blushi: Policia refuzoi të japë informacion, kallëzim penal për Prodën dhe Hoxhën

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deklaroi se do të bëjnë një kallëzim penal kundër drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe ministrit të Brendshëm, pasi sipas tij kanë refuzuar që të japin informacion mbi arrestimin e Ilir Metës, kreut të partisë, më 21 tetor.
Blushi akuzoi policinë se po mbron veprimet e paligjshme dhe se nuk po ofron asnjë provë ose informacion mbi ngjarjen.
Blushi e cilësoi përgjigjen e drejtorit të policisë si të pamjaftueshme, duke theksuar se kjo fshehtësi dëmton sundimin e ligjit dhe demokracinë në vend.
“Kjo përgjigje që nuk vlen të merret në konsideratë, në fakt nuk është gjë tjetër veçse mbrojtja që narkodrejtori i Policisë së Shtetit do të duhet të bëjë nga sot e në vijim në Prokurori dhe në Gjykatë”- tha Blushi.
Sipas tij, Partia e Lirisë do të ndjekë hapa të tjerë ligjorë për t’i depozituar kallëzimet në organet e drejtësisë për të kërkuar hetim të plotë të kësaj çështjeje.
“Hetimi i plotë i kësaj çështjeje dhe respektimi i të drejtave kushtetuese janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Shqipëri. Ndaj në këto kushte, kur narkopolicia e Edi Ramës, refuzon të kthejë përgjigje për të gjitha kërkesat që ne i kemi parashtruar dhe i kemi bërë publike, kur refuzon te vendosë në dispozicion provat për gjoja faktet që ajo pretendon, jemi të detyruar që të vazhdojmë hapat e tjerë ligjorë, kallëzim penal”- tha Blushi. /j.p/