E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Privilegj, mbledhja e Komunitetit Politik Europian në Tiranë

TIRANË, 7 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot privilegj faktin se takimi i ardhshëm i Komunitetit Politik Europian do të zhvillohet në Tiranë.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, pas takimit të Komunitetit Politik Europian, kryeministri Rama vlerësoi mbledhjen e sotme të Komunitetit Politik Europian në Budapest, ku sipas tij “është mbledhur gjithë Europa në një vend”.

“Ka qenë një ditë shumë e veçantë sepse ky është një kryeqytet mjaft i bukur dhe kemi pasur edhe shansin për ta shijuar edhe bashkëbisedimet me kryeministrin kanë qenë veçanërisht shumë speciale. Po ashtu ta shohësh edhe të gjithë Europën që të mblidhet në këtë vend”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “do të jetë një privilegj mjaft i madh për të punuar si ekip për ta bërë takimin e ardhshëm në Tiranë po kaq të suksesshëm sa ky”.

“Më duhet t’ju them që deri shumë vite më parë ky bashkëbisedim me BE-në ishte i paimagjinueshëm. Ka një sërë arsyesh dhe natyrisht Vladimir Putini është një prej tyre sepse zgjoi fort BE-në, por më duhet të them se në këtë forum së bashku me atë çfarë po ndodh edhe me Komisionin Evropian, Planin e ri të Rritjes dhe integrimin gradual, është gjithçka shumë inkurajuese”, tha Rama.

Rama falënderoi Presidentin e Francës Emmanuel Macron, pasi ishte ideja e tij për të nxitur organizimin e një formati të tillë që është një vizion i vjetër francez që daton midis shekullit 17-18.

“Një përpjekje edhe e një sërë presidentësh të tjerë francezë që është një gjë e destinuar të ishte e dobishme. Na duhet të punojmë së bashku me këtë ekip për të propozuar një strukturë tjetër homologe, shpresojmë të përhershme, të mendimit strategjik, që të jetë një lloj sekretariati pas forumit, për ta bërë edhe punën më të lidhur midis dy forumeve. Janë, por strukturimi i tyre më i mirë do të ishte një ide shumë e mirë”, tha Rama.

Rama theksoi se “nëse numërojmë njerëzit që përfaqësohen sot në këtë hapësirë të mrekullueshme të stadiumit të ri fantastik, Europa është e 700 milionë banorëve”.

“Është e jashtëzakonshme, është e madhe. Natyrisht në këtë Europë të 700 milionë banorëve ka mënyra të ndryshme të të menduarit, qëndrime të ndryshme e me radhë, por është një numër që të bën të mendosh se sa shumë gjëra duhet të jenë ndryshe dhe se sa shumë gjëra mund të bëjmë për të mirën e të gjithë Europës nëse këta 700 milionë përfaqësohen në mënyrë më përmbajtësore nga këta njerëz këtu”, tha Rama.

/a.f/

Samiti i Komunitetit Politik Europian 1 nga 5

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›