Arrestimi i Pëllumb Gjokës, Bardhi: SPAK të verifikojë favoret qeveritare që Rama i ka siguruar atij

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me operacionin e Policisë, ku u arrestuan prokurorë, biznesmenë, zyrtarë të policisë dhe eksponentë të botës së krimit.
Teksa përshëndet aksionin, Bardhi vë theksin te arrestimi i biznesmenit Pëllumb Gjoka, teksa akuzon kryeministrin Edi Rama se, në bashkëpunim me Tom Doshin, i ka siguruar atij favore qeveritare. Bardhi i bën thirrje SPAK që të hetojë “duke nisur nga licencat e deri tek statusi i investitorit strategjik”.
“Përshëndes aksionin e SPAK për arrestimin e një prej lidhjeve të konsoliduara me krimin e organizuar të Edi Ramës në Shkodër Pëllumb Gjokës. GPPD nxit SPAK të verifikojë të gjitha favoret qeveritare që Edi Rama, në bashkëpunim me Tom Doshin i ka siguruar këtij anëtari të krimit të organizuar, duke nisur nga licensat e deri tek statusi i investitorit strategjik. Askush mbi ligjin është më afër se kurrë”, shkruan Bardhi.
Aksioni policor u shtri në disa qytete të vendit, ndërsa deri më tani është konfirmuar arrestimi i drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-kreu i Forcave Operacionale, Olti Bistri dhe Astmer Bilali, pjesë e grupit “Bajri”.
Dyshohet se arrestimet kanë ardhur për akuzat shpërdorim detyre, korrupsion dhe pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
/rtsh.al/