Bardhi mbledh sot Këshillin Kombëtar/ Kryesia e PD-së: Sajesë politike, të shtunën zgjedhim kryetarin

Kryesia e Partisë Demokratike ka reaguar ndaj vendimit të sekretarit të përgjithshëm të kësaj force politike Gazment Bardhi i cili ka paralajmëruar mbledhjen e Këshillit Kombëtar ditën e sotme.
Përmes një deklarate për mediat, kryesia e Partisë Demokratike ka deklaruar se mbledhja e Këshillit të thirrur nga Gazment Bardhi dhe rregullorja e cituar prej tij është sajesë.
Në këtë reagim thuhet se do të jenë demokratët ata që do të zgjedhin kryetarin e ri të Partisë Demokratike.
“Në reagimet e tij pas marrjes dijeni për vendimin e shkurtuar, Sekretari i Përgjithshëm ngre pretendimin se lajmi për miratimin e kësaj rregullore është publik dhe i shpërndarë gjerësisht nga organet mediatike.
Ky reagim i Sekretarit të Përgjithshëm është një përpjekje për të fshehur të vërtetën e mosekzistencës së rregullores në tërësi dhe pikës 7 të nenit 9 në veçanti.
Fakt është se nuk ekziston asnjë akt miratimi i kësaj rregulloreje dhe madje as në draft dokumentin e publikuar në media nuk ekziston asnjë pikë 7 e nenit 9 siç është pretendimi mbi bazën e të cilit është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtar.
Në këto kushte çdo pretendim i tij për mbledhjen e Këshillit Kombëtar bazuar në këtë pikë të nenit 9 është i sajuar dhe po përdoret nga z Bardhi për arsye personale politike”, thuhet në reagimin e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Gjithashtu, kryesia e kësaj force politike shpjegon se veprimet Gazment Bardhi për organizmin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar bien “në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës është shkelje flagrante dhe e hapur e Statutit të Partisë Demokratike”
Kryesia e Partisë Demokratike shton më tej se të shtunën demokratët do të zgjedhin kryetarin e Partisë Demokratike dhe do të nisin ringritjen dhe riorganizimin e saj.
/rtsh.al/