E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i policëve kosovarë, KFOR-i nis hetimet

Një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendin ku janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë për të vërtetuar dhe hetuar rastin.

Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçic kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër. Sipas tij me kete veprim ata kishin shkelur marrëveshjen ushtarako – teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.

Derisa KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin rrembyer brenda territorit të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me EULEX-in, për të ushtruar ndikimin që policët, ndaj të cilëve është shpallur ndalesa prej 48 orësh në burgun e Kurshumlisë, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.

Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar, ti shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e rrembyer. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë marre në territorin e Kosovës, thotë Rexhepi.

Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe lokacionin e ndodhisë. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë – Serbi.

Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›