Arrestimi në ambasadën e SHBA, Diplomati u tradhtua nga gjurmët
Arrestimi spektakolar i nëpunësit të Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë është kryer në bazë të gjurmëve të 27-vjeçarit, i cili po aplikonte për vizë për në SHBA. Dosja që ka mbërritur nga Gjykata e Nju Jorkut nuk përmban emrin e Rrapos, fakt ky i konfirmuar edhe nga burime të prokurorisë shqiptare, ndërsa ka dyshime se ish-sekretari në ministri mund të ketë qenë i implikuar në një çështje pengmarrje. Deri para arrestimit, zyra e FBI-së në shtetin e Nju Jorkut nuk kishte nxjerrë një urdhër-arresti ndërkombëtar. Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme konfirmon se ka dërguar zyrtarisht informacionet në shtetin e Nju Jorkut me të dhënat e Rrapos, ndërsa kanë mbërritur të dhënat e para që flasin se 27-vjeçari dyshohet se ka bërë pjesë në një organizatë kriminale të quajtur “Krasniqi”. Megjithatë, roli i Rrapos ende nuk është saktësuar nga drejtësia amerikane, së cilës i është lënë kohë 60 ditë për të sjellë të gjithë dosjen në Shqipëri dhe më pas të kërkojë ekstradimin e tij në SHBA, sipas marrëveshjes midis shtetit shqiptar dhe atij amerikan në kohën e mbretit Zog, rreth vitit 1930.
Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën se organizata kriminale shqiptare në SHBA, ku dyshohet se bënte pjesë edhe Almir Rrapo, ish-punonjës në Ministrinë e Jashtme në Tiranë përbëhej nga 11 shtetas dhe kishte kryer pengmarrje në ndihmë të shantazhit, armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje droge, veprime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Gjykata e Distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetin e Nju Jorkut ka ngritur akuzë ndaj 11 personave, kryesisht me origjinë shqiptare. Në pikën e parë të aktakuzës thuhet se shtetasit Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi dhe Elton Sejdaris të pandehur dhe të tjerë të njohur dhe të panjohur, kanë qenë anëtarë dhe ndihmës të një ndërmarrjeje kriminale të organizuar dhe të kryesuar nga Bruno Krasniqi dhe Saimir Krasniqi. Organizata ishte angazhuar në krime të shumta, përfshi trafikim lëndësh narkotike, rrëmbim, kërcënim, grabitje dhe transport përtej kufijve shtetërorë të mallrave të vjedhur. Organizata “Krasniqi” ishte një grup i organizuar kriminal me bazë në Staten Island dhe Queens. Ajo ishte një organizatë në vazhdimësi, anëtarët e së cilës funksiononin si një njësi në vazhdim, me qëllimin e përbashkët të arritjes së objektivave të ndërmarrjes. Qëllimi i organizatës kishte të bënte me pasurimin e drejtuesve, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve, ruajtjen, mbrojtjen dhe rritjen e pushtetit, territorit dhe fitimeve financiare të drejtuesve të saj, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve me anë të përdorimit të kërcënimit, dhunës dhe kërcënimeve për dëmtim fizik dhe ekonomik dhe duke kërcënuar për të kryer dhunë fizike dhe duke shkaktuar e kërcënuar për të shkaktuar dëmtim ekonomik.
#