E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat në Shqipëri, një arsye për hetim të hershëm

Akuza për guvernatorin

Ka përfunduar seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi. 

Avokati i Rexhepit, Ramë Gashi, tha për “Top Channel” nëpërmjet telefonit se Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, pretendon se guvernatori i BQK-së ka kryer vepra penale që ndërlidhen me shpërdorim të detyrës zyrtare, shmangie nga tatimi, marrje ryshfeti etj. 

Të gjitha këto, sipas palës mbrojtëse dhe siç kishte deklaruar edhe Kryeprokurori në seancë, kanë të bëjnë me periudhën 2002- 2007, kohë kjo kur Hashim Rexhepi nuk ishte guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. 

Merret vesh se prokuroria ka prezantuar pak fakte konkrete, por kryesisht bëhet fjalë për disa prona në Shqipëri, të cilave nuk u dihen burimet financiare, punësim të paligjshëm etj. Bazuar në faktin se Rexhepi është emëruar guvernator i Bankës Qendrore në vitin 2008, pala mbrojtëse i quajti inekzistente akuzat që e rëndojnë atë për shkak se, siç thuhet, në vitet 2002-2007, kohë për të cilën flet prokuroria, Hashim Rexhepi nuk ka pasur rol vendimmarrës në Bankën Qendrore. Edhe Hashim Rexhepi, sipas avokatit Gashi, është i habitur me akuzat e ngritura ndaj tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›