E Diel, 1 Nëntor 2026

BP, pavarësisht katastrofës do të vazhdojë me shpimet në det

Deklarimi Këtë herë do të nisë me një front të ri, atë të Libisë

Një alarm zjarri, që ishte vendosur në platformën e naftës së BP, në Gjirin e Meksikës, që ishte edhe zanafilla e katastrofës ekologjike ishte fikur. Kjo është dëshmia e fundit e shefit të elektricistëve. Sipas deklaratës së tij, të bërë publike për qeverinë amerikane, që po merret me hetimin e çështjes, alarmi, që mund të kishte detektuar sasinë e madhe të naftës, ishte shuar në mënyrë që të mos i shqetësonte natën njerëzit që flinin. Platforma e naftës, që kryente shpime në oqean, shpërtheu më 11 prillin e kaluar, duke shkaktuar një derdhje të jashtëzakonshme të arit të zi në oqean e duke shkaktuar një ndotje të jashtëzakonshme të deteve. Sipas disa spekulimeve, shefi ekzekutiv i kompanisë, Tony Hayward, do të japë dorëheqjen të martën e ardhshme, pas presioneve të vazhdueshme nga bordi drejtues i kompanisë, për t’u larguar si pasojë e menaxhimit të keq të situatës. Gjigandi britanik i naftës, që ka pësuar humbjen më të madhe në historinë e tij, që nga shpërthimi i prillit, do të publikojë po të martën rezultatet e saj për sa i përket humbjeve dhe ardhmërisë së kompanisë. Ndërkaq kompania dje ka njoftuar se do të nisë shpimet në nëndetin e Libisë brenda pak javësh, pas një marrëveshjeje të nënshkruar me vendin afrikanoverior në vitin 2007. Kjo, pavarësisht gjithë problemeve me mjedisin që shkaktoi shpërthimi i platformës në Gjirin e Meksikës dhe mbi të gjitha për akuzat për lirimin e një krimineli libian. Për BP ky ishte një rikthim në këtë vend pas një periudhe 30-vjeçare. Në Libi thellësia që do të përshkojë sonda në tokë është më e madhe se ajo në Gjirin e Meksikës. Sipas ekspertëve, nëse ka një mësim që duhet nxjerrë nga ajo që ndodhi në këtë vend, është ndalimi i shpimeve të tilla që janë shumë të rrezikshme dhe me pasoja katastrofike nëse shkojnë keq. Por duket se BP nuk ka vënë mend nga sa ndodhi në Gjirin e Meksikës, ndaj kërkon që të vazhdojë biznesin si zakonisht, edhe në zona të tjera të botës, sikur të mos kishte ndodhur gjë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›