Arrestohen 4 të dyshuar për trafikim me substanca narkotike
Drejtoria e hetimit të trafikimit me narkotikë dhe njësia rajonale në Prishtinë pas një hetimi të detajuar akne arritur të zbulojnë dhe mandej të arrestojnë katër persona të përfshirë në aktivitete kriminale të trafikimit me substanca narkotike të llojeve të ndryshme.
Bëhet e ditur se njësitet policore përmes rrugëve operative kanë arritur të marrin informacione kredibile në lidhje me vendndodhjen e një sasie të substancave narkotike dhe mandej informacioni është përpunuar dhe analizuar si dhe janë marrë një varg veprimesh hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit, sigurimit të provave si dhe arrestimit të personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Si rrjedhojë e operacionit mbrëmë në rrugën “Luan Haradinaj” është ndaluar i dyshuari A. Biba, te i cili është gjetur një sasi e dyshuar narkotike e llojit kokainë (30 qese) me peshë 30 gramë si dhe 0.3 gramë e dyshuar e llojit heroinë, ndërsa te i dyshuari A. Jashari janë gjetur dy qese narkotikë që dyshohet të jetë e llojit kokainë me peshë dy gramë.
Policia bëri të ditur se pas konsultimit me prokurorin të dyshuarit A. Jashari i është bastisur edhe shtëpia në Dardani me ç’rast i janë gjetur dy paketime me narkotikë të dyshuar të llojit kokainë dhe 44 qese me narkotikë e dyshuar e llojit marihuanë.
Po ashtu, operacioni i ndërmarrë nga Drejtoria e hetimeve të trafikimit me narkotikë ka vazhduar dhe kështu mbrëmë rreth orës 22.00 në Veternik janë ndaluar edhe dy të dyshuar L. Kadriu dhe A. Shabani.
“Personave të dyshuar gjatë kontrollit të veturës i janë gjetur katër paketime me substancë narkotike të dyshuar të llojit kokainë me peshë 2.8 gramë, e gjithashtu tek të dyshuarit janë konfiskuar edhe një sasi monetare në vlerë 225 euro”, njofton zyra për informim e Policisë.
Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i Prokurorisë së Qarkut, ku me urdhër të tij të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit policor për të vazhduar me proceduar të mëtutjeshme.