VV & AAK: Marrëveshja jo-kushtetuese dhe spektakël
Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar mënyrën e arritjes së marrëveshjes së djeshme, në bazë të së cilës, Pacolli u tërhoq nga kandidimi për president, Atifete Jahjaga u zgjodh si kandidate e përbashkët e koalicionit dhe LDK-së për këtë post, si dhe u caktuan afate për zgjedhjet e reja, reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se marrëveshja është antikushtetuese.
“Në vend se të krijojmë traditë kushtetuese, që të zgjidhim problemet me disa rregulla, për të cilat pajtohemi të gjithë, të cilat janë të kodifikuara në një dokument juridik, sic është Kushtetuta, këtu problemet dhe puna institucionale po definohet në bazë të vullnetit arbitrar dhe pazarllëqeve individuale të liderëve partiakë. Kjo mendoj se është dëmi më i madh për Kosovën”, tha Konjufca.
As Lëvizja Vetëvendosje dhe as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë ftuar që të marrin pjesë në takimet e zhvilluara në Zyrën Amerikane mes kryetarit të PDK-së, Hashim Thaci, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe ish kreut të AKR-së, Behxhet Pacollit. Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, e quajti spektakël marrëveshjen e arritur dje.
“Për AAK është edhe një spektakël, që i dhurohet vendit tonë në këtë mënyrë dhe në këtë formë. Është e rëndësishme qe të kalohet ngërçi politik, por jo në çdo formë dhe në çdo mënyrë“, tha Luma.
Tri subjektet opozitare, LDK-ja, Vetëvendosje dhe AAK-ja, ishin unike në qëndrimet e tyre në kohën kur u zgjodh Pacolli president, duke e bojkotuar seancën e Kuvendit. Ky veprim i tyre bëri që Pacolli të zgjidhej me proceduar jokushtetuese, por edhe shkaktoi precedent, që presidenti të mos mund të zgjidhej më, pa qenë të pranishëm 80 deputetë në sallë. Vetëvendosje tash kritikon LDK-në, e cila pat çuar bashkë me AAK-në çështjen Pacolli në Kushtetuese, se u vu në shërbim të Thacit.
“Kjo është marrëveshje për shpëtimin e Hashim Thaçit. Vetëvendosje mendon se nuk mund të shpëtohet edhe Kosova edhe Hashim Thaçi. Duhet zgjedhur njërën, se nuk janë të mundshme të dyjat. E unë mendoj se LDK-ja në vend të Kosoëvs ka zgjedhur ta shpëtojë Hashim Thaçin, sepse dihet si i jep 2.5 vjet mandat Thacit, me disa kushte, si reforma zgjedhore, zgjedhjes pas 2.5 vjet, ndryshimet kushtetuese. Unë mendoj se këto gjëra edhe ashtu do të ishin ndryshuar dhe nuk janë kompromis i vërtetë sepse për këtë kanë qenë të disponimit të gjitha partitë politike. E vetmja gjë e vërtetë që ia ka mundësuar si kompromis Isa Mustafa Hashim Thacit, janë gati tri vite mandat të ardhshëm dhe mendoj se kjo është po ajo LDK-ja e vitit 2007”, u shpreh Konjufca.
Megjithëse e ka quajtur marrëveshje jokushtetuese, Konjufca ka thënë se do të jetë e pamundur, që kjo marrëveshje, që do të pasohet me veprime në kuvend, të dërgohet në kushtetuese, për shkak se VV bashkë me AAK-në nuk mund të arrijnë numrin e nevojshëm prej 30 deputetëve, që duhet të nënshkruajnë, para se të dërgojnë një çështje në Gjykatë. /rel/