Arrestohen dy persona., i shitën pistoleta policit
Arrestohen dy trafikantë armësh, prokuroria i sekuestron 10 pistoleta te porositura nga agjenti i kamufluar
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me policinë e shtetit fut sërishnë kurth dhe arreston dy persona që dyshohet se kryenin trafik të armëve dhe municioneve luftarake nga Kosova në Shqipëri. Kështu, mëngjesin e djeshëm, teksa Kujtim Laçi, 44 vjeç dhe Afrim Stafuka, 39 vjeç, po kryenin dorëzimin e 5 pistoletave të porositura nga agjenti i policisë i cili ishte kamufluar si blerës i armëve, policia organizoi operacionin për arrestimin e tyre duke i prangosur në flagrancë dhe pas ndalimit atyre iu sekuestruan edhe 5 pistoletat e tipit mini-blow të kalibrit 6.6 mm. Ky lajm, u konfirmua nga burimet zyrtare të policisë së shtetit të cilët pas arrestimit të dy shtetasve Stafuka dhe Laçi njoftuan median se në banesën e këtij të fundit gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale rreth 200 gram lëndë narkotike e dyshuar si kokainë. “Paraditen e djeshme, pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kjo e fundit urdhëroi policinë e shtetit të kryejë takimin e fundit me dy të arrestuarit Laçi dhe Stafuka për të kryer blerjen e kontrolluar të 5 pistoletave të porosisë së fundit, pasi pak ditë më parë, po ky agjent i kamufluar i ka porositur dhe blerë nga dy të arrestuarit në dy takime të tjera edhe 5 pistoleta të tilla. Porositja dhe blerja e këtyre pistoletave është kryer nën vëzhgimin e prokurorisë dhe lejes së dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku vendimet e saj janë zbatuar në bashkëpunim mes sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë”,-thuhet nga burimet e prokurorisë. Sipas tyre, agjenti i kamufluar pas marrjes së informacioneve se dy të arrestuarit Laçi dhe Stafuka kryenin “trafik armësh”, ka shfrytëzuar njohjet e tij për t’iu afruar “trafikantëve”, ku kundrejt 200 eurove i ka kërkuar gjetjen e një pistolete të tipit mini-blow të prodhimit serb. Pas, kësaj porosie, të arrestuarit e kanë siguruar atë nga linja e trafikut Serbi-Kosovë-Shqipëri dhe ia kanë dorëzuar agjentit. Pas kësaj blerjeje, agjenti ka kryer edhe porosinë e dytë, duke i kërkuar gjetjen edhe të katër pistoletave të tilla. Kështu, Laçi dhe Stufka duke parë fitimin e tyre dhe korrektesën e agjentit kanë kërkuar të punojnë sërish bashkë, ku agjenti ka porositur edhe pesë pistoleta të tilla, ku paraditen e djeshme ishte lënë takimi i dorëzimit të tyre, ku gjatë shkëmbimit të parave me armët policia ka ndërhyrë duke i arrestuar në flagrancë. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mësohet se për të vërtetuar këtë blerje dhe trafik të dy të arrestuarve, prokuroria ka siguruar prova të shumta materiale, si përgjime, incizime të lëvizjeve të tyre, incizime gjatë bërjes së pazarit dhe dorëzimit të pistoletave në të tre rastet me pamje vizive dhe audio si dhe foto të ndryshme të të arrestuarve gjatë vëzhgimit të lëvizjeve të tyre. Mësohet se arrestimi i dy të pandehurve është kryer në vendin e quajtur “Mbikalimi” në Fushë Krujë, vend ku ishte lënë takimi për dorëzimin e parave dhe armëve.
TË ARRESTUARIT:
- Kujtim Islam Laçi, vjeç 44, lindur në Laç dhe banues në Fushë Krujë,
- Afrim Ramiz Stafuka, vjeç 39, banues në Fushë Krujë.
SEKUESTRUAR
10 pistoletat e tipit mini-bloë 6.6 mm të prodhimit serb
200 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë
2 automjete njëri tip “Fiat” e tjetri tip “Audi”
3 palë targa fals që përdoreshin nga këta shtetas, dhe
3 aparate celularë