E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Mesdhe me... tapa shishesh

 

SAIMIR STRATI / Artisti që ka marrë dy Guinness për mozaikët me gozhdë dhe spica dhëmbësh, po i jep jetë mozaikut të tretë. Një kuadrat gjigant, 100 m2, me 300 mijë tapa vere

Një germë që qëndron afër një tjetre e që këtë të fundit e lidh me dy të tjera dhe që të gjitha i gatit të qëndrojnë në harmoni të plotë. Fjalët formojnë fjali, e tek-tuk edhe ndonjë paragraf. Mendoni sikur t’i zëvendësosh germat me...tapa shisheje. Mund të përfitosh po të njëjtin mozaik të bukur, ashtu si një ligjëratë fjalësh për të treguar “Mesdheun”. Tapa të përlyera me verë që duke i nuhatur mund t’i ndiesh se si janë dhunuar kur janë shkëputur nga shishet, tapat me emrat e miqve që verën e kanë pirë nën shoqërinë enjëri-tjetrit, duke dëgjuar muzikë dhe duke shijuar diellin. Ky mund të jetë vetëm Mesdheu.

Saimir Strati ka kohë deri në 3 shtator. E gjejmë të ulur në tavolinën e pushimit: “Më pëlqen që të sjell gjëra të reja që askush nuk i ka kryer në botë. Kjo është shtysa. Dy rekordet e para askush nuk i ka thyer dhe kjo më ka shtyrë të realizoj një të tretë”.

“Çuditërisht”, mban përpara një shishe birre. “Vera pihet vetëm mes miqsh”, të thotë.

***

Duke të folur për subjektin, Strati të tregon se këtë vit ka zgjedhur Mesdheun. “Unë nuk kam kërkuar të bashkoj njeriun, verën, muzikën dhe katër stinët. Mesdheu i ka. Unë thjesht i sjell. A mundet të mendohet Mesdheu pa këto?”, qartëson artisti.

Konsumon 14 orë në ditë mbi kuadratin gjigant nën shoqërinë e muzikës, si dhe në një mjedis të hapur që rrihet deri vonë pasdite nga dielli. Por nëse kërkon të zbulosh pse artisti zgjodhi që të krijojë diçka nga hiçi vetëm nëpërmjet tapave, duhet të sprapsesh. “Nuk ka rëndësi materiali, sepse bashkësia e një elementi krijon mozaikun. Kjo do të thotë vetëm se për këtë vit zgjodha tapat.”

Dëshiron të jetë tepër i rezervuar, “pasi vepra flet vetë”. Kurse miku i tij, Leoni, një burrë që flet më shumë se Sajmiri, do të kërkonte t’i shtonte diçka thelbësore bisedës sonë: “Por çfarë sjell Strati në këtë performancë? Ky nuk është as një mozaik me gurë, as me guaska deti, madje as me bojëra të prodhuara nga ish-Kimikja apo bojëra të Rembrandit. Ky është një mozaik nga tapat e vetë verës. Kjo është e reja”

***

Tapat do të jenë më të pakta në numër se 500 mijë gozhdët e Leonardo da Vinçit apo 1 milion e 500 mijë kunjat e dhëmbëve që kanë formuar një kalë. Në mozaikun e tretë do të ketë vetëm 300 mijë tapa vere. “Diku ka edhe dhëmbë njerëzish. Disa i kanë sjellë vetë dashamirësit. Mbi këto tapa kanë shkruar emrat e tyre me dëshirën për të mbetur në këtë mozaik. Kurse tapat e tjera i kam marrë në shtëpitë e prodhimit të verës”, rrëfen Strati.

Kërkon ta mbajë të fshehur teknikën e punës së deritanishme. Ajo që duket, është vetëm ngjyra në kafe të errët e një lënde ngjitëse, mbi të cilat Strati ngjit tapat. Pasi ka hapur pëlhurën e bardhë, në të cilën ka vizatuar trajektoret se ku do vendosen tapat, ai ka nisur të vendosë ngjitës. Tapat janë kryesisht të bardha, por edhe të kuqe, edhe kafe, në varësi të dizajnit. I kanë mbetur edhe thuajse 100 mijë a më tepër tapa pa fiksuar ende në mozaikun 10 metër të gjatë dhe po kaq të gjerë.

****

Edhe pse në një ambient që mund t’i lejojë sytë e vizitorëve, sërish Strati rrëfen se pak njerëz e kanë ndjekur gjatë punës: “Ndonjëherë më vjen habi që, ndërsa në botë në raste të tilla ka aq shumë vizitorë sa duhet të vendoset një postbllok që t’i ndalojnë, këtu janë fare të pandjeshëm.” Shton se kjo punë do nxjerrë vetëm të fituar, duke përmendur Shqipërinë në një libër të famshëm si “Rekordet Botërore Guinness”.

Punën e ka nisur në 8 gusht dhe pritet të përfundojë në 3 shtator. Sajmirin e asiston edhe menaxherja e projektit, Blerina, ndërsa në sfond duken posterat e financuesve që kanë mbështetur artistin në këtë përpjekje për një “Guinnes” të tretë.

Në 4 shtator të vitit 2006 dhe 2007, Saimir Strati mori certifikatat nga “Rekordet Botërore Guinness” për dy mozaikë: “Leonardo da Vinçi” me 500 mijë gozhdë dhe mozaiku tjetër që ka në qendër një kalë, i krijuar nga 1 milion e 500 mijë spica dhëmbësh.

BOX 1

“Libri i Rekordeve Guinness” mund të të bëjë të famshëm edhe nëse rrit një palë thonj deri në 7 metër e gjysmë. Gjithçka që ka lidhje me trupin njerëzor, me historitë e papara dhe të padëgjuara, me natyrën, me shkencën dhe teknologjinë, me artet dhe median, me shoqërinë moderne, me udhëtimin dhe transportin si dhe me sportet e lojërat mund të jetë e vlefshme për të shënuar një rekord në këtë libër të famshëm.

Në faqen elektronike, të “Rekordeve Botërore Guinnes” nuk thuhet në asnjë vend se çfarë shume parash mund të përfitosh nga renditja në librin e madh. Ajo që dihet me siguri është fama në të gjithë botën. Menaxhimi i famës duket se mund të të sjellë edhe shumë fitime. Në një nga faqet e gazetës “New Jork Times”, ku është shkruar për rekordet Guinness, vihet në dukje se shumë persona, aspak të njohur, kanë ecur shumë në karrierën e tyre pas një çmimi të tillë. Në këtë shkrim sillet rasti i një vajze e cila kishte fituar çmimin për shkak të pirsingëve të shumtë në trup dhe më pas e braktisi punën që kryente duke iu përkushtuar një aktiviteti shumë fitimprurës, atë të shfaqjes së trupit të saj në televizione. Kurse në rastin e shitjes së telefonit celular më të shtrenjtë në botë, 1 milion euro, dizajnuesi dhe kompania prodhuese, morën shumë porosi të tjera për mjete të tilla luksoze komunikimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›