E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët me makina të vjedhura, SHKB nis hetimet

 

Hetimet pas arrestimit të dy punonjësve të patrullës së përgjithshme të cilët përdornin një automjet të vjedhur

TIRANË-Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm verifikon automjetet e policëve nëse rezultojnë të vjedhura. Vetëm pak kohë pas arrestimit të dy punonjëse të patrullës së përgjithshme të cilët përdornin një automjet i cili rezultonte i vjedhur SHKB, pranë Ministrisë së Brendshme nisi hetimet për të zbuluar të tjera raste të ngjashme. “Ka informacione të siguruara në rrugë operative se ka policë të cilët lëviznin me automjete të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë vendit, apo nëse posedojnë dokumente të falsifikuara. “Kanë nisur hetimet për të verifikuar këto informacione nëse janë të sakta” thanë për “Shekullin” burimet policore. Fakti që punonjësit e policisë mbajnë dokumentin e detyrës që kanë, i favorizon ata të mos u japin “llogari” kolegëve të tyre rrugore në rastet kur ndalohen në qarkullim. Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm vetëm pak kohë më parë arrestoi dy punonjës të patrullës së përgjithshme pasi posedonin një automjet me dokumente të falsifikuara. Mjeti, sipas policisë, dyshohej se ishte i vjedhur jashtë shtetit. Burimet policore thanë fill pas arrestimit të dy policëve se, njëri prej tyre kishte në përdorim mjetin ndërsa ia kishte blerë kolegut të tij. SHKB, kishte siguruar informacione për mjetin i cili megjithëse ishte i vjedhur qëndronte në komisariatet e Tiranës dhe qarkullonte pa probleme kjo për faktin se drejtohej nga një punonjës policie. Pas arrestimit të dy punonjësve të patrullës së përgjithshme, oficerët e SHKB, zgjeruan hetimet për të verifikuar edhe automjetet e policëve të tjerë. Burimet thanë se kanë identifikuar disa punonjës policie të cilët dyshohet se qarkullojnë me automjete të vjedhura, megjithatëjanë ende në proces verifikimi. Të njëjtat burime thanë se shumë punonjës policie qarkullojnë në kryeqytet me automjetet e tyre megjithëse nuk posedojnë dokumentet përkatëse. Kolegut të tyre rrugor mjaftojnë t’iu tregojnë dokumentin e policisë dhe “shpëtojnë” nga kontrolli i dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›