Arrestohen dy persona për "detyrim" dhe "mashtrim"

Dje rreth orës 14:00 hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka realizuar një operacion policor, me ç’rast ka arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’.
Personat e arrestuar janë:
• A. I. (1990 ) mashkull/kosovar
• B. F (1993) mashkull/ kosovar
Hetuesit policorë në këtë rast kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për “Blerje të simuluar të sendit”, për shkak të dyshimit të bazuar se personat e dyshuar do të kryenin veprat penale ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’.
“Bazuar në hetimet policore dyshohet se personat e dyshuar kanë detyruar personin K. B. zyrtar i bankës Pro-Credit (në suspendim), që atyre personave t’ua paguajë shumën prej 10.000 deri në 20.000 euro në shkëmbim të ndërrimit të deklaratave të dhëna më herët në Polici”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Hetuesit policorë gjatë zhvillimit të operacionit policor, me rastin e arrestimit, tek të dyshuarit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 10.000 euro para të marra nga personi K. B. me anë të detyrimit.
Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me procedurat tjera hetimore. Të dyshuarit në këtë rast kanë qenë viktima të këtij rasti ku me 28.6.2013 në Vushtrri janë arrestuar 3 persona tjerë të dyshuar për ‘mashtrim/shtrëngim’.
Arrestimi i këtyre personave ishte kryer pasi dyshohej se këta persona në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013 duke përdorur metoda të mashtrimit dhe detyrimit kanë krijuar rrjetin e personave (e në mesin e këtyre personave në cilësi të viktimave –ankuesve kanë qenë edhe këta dy të arrestuar) të cilët i kanë detyruar që secili të marrë mbi 20 kredi në bankën Pro-Credit në Vushtrri. /Indeksonline/