Arrestohen dy të rinj, adoleshentja denoncon të dashurin si rrëmbyes
DURRËS - Policia ka arrestuar dy të rinj të cilët në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë tentuar të rrëmbejnë një vajze dhe ta fusin ne makinën e tyre. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 13:00 në lagjen nr.16 të qytetit të Durrësit kur në një debat mes tre të rinjve ka ndërhyrë një oficer i policisë. Njëri nga djemtë e ka ofenduar oficerin që ishte veshur civil, por ndër të tjera i kanë thënë se është e dashura ime.
Por polici nuk ka hezituar të thërrasë grupin e gatshëm, pasi ka konstatuar se dy të rinjtë po tenton ta rrëmbenin adoleshenten. Përmes një njoftimi zyrtar policia e Durrësit thotë se ngjarja ndodhi në lagjen nr. 16 rreth orës 13:00. Sipas saj dy të rinj, Benard Leshi, 18 vjeç nga Dibra por me banim në Durrës dhe Pashk Buca nga Mirdita, me banim në Durrës kanë tentuar të marrin me force në automjetin e tyre Golf 5 me targa të huaja shtetasen R.H, 17 vjeç lindur në Gramsh e banuese në të njëjtën lagje me të ndaluarit.
"Në kohën që Benardi e ka kapur për krahu këtë shtetase duke e tërhequr për në automjetin e tij, jashtë dëshirës së vajzës kanë ndërhyrë Shërbimet e Seksionit të Krimeve Kundër Personit të cilët kanë bërë të mundur kapjen në flagrance te këtyre shtetaseve", thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, burime të tjera nga policia e Durrësit, sqarojnë se vajza dhe dy djemtë ishin të njohur dhe madje debati mes tyre ka vazhduar, edhe kur vajza ka bërë kallëzim penal ndaj tyre, duke i akuzuar si rrëmbyes. Nga ana tjetër, dy të rinjtë pretendojnë pafajësinë dhe i kanë dhënë oficerëve të policisë se "ne jemi të njohur dhe kishin një konflikt të momentit". Materialet i kanë kaluar Prokurorisë.