E Shtunë, 31 Tetor 2026

McIlwham: E ardhmja e Shqipërisë, BE-ja

Ambasadorja britanike Fiona McIlwham, deklaron nga Vlora se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin e Europian, por mbetet ende punë për të bërë.
Sipas përfaqësues britanike në Shqipëri, dita kur vendi ynë do të jetë pjesë e BE-së nuk është e largët, por për këtë duhen arritur disa standarte, dhe duhen ndjekur disa rregulla strikte.
" E ardhmja juaj është ecja drejt këtij bashkimi. Për këtë është i nevojshëm respektimi i disa rregullave strikte, siç janë respektimi i të drejtave të njeriut, e respektimi i të drejtave të tjera demokratike. Por hyrja në BE nuk është kaq e lehtë dhe kriter për këtë mbetet besueshmëria. Vendet anëtare janë gjithmonë e më të shqetësuara pas problematikave që mund të ketë pasur dhe vala e këtij zgjerimi ka ngushtuar në një farë mënyre rrethin e hyrjes", u shpreh ajo. Sipas ambasadores "Në Shqipëri forcimi i ligjit është prioritar, si edhe në gjithë rajonin, të tilla janë edhe reformat juridike e sociale. Këto reforma duhet të krijohen nga vetë vendet e në këtë drejtim e ardhmja e Evropës duket premtuese"
Më tej, e pyetur në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit, ambasadorja Britanike, tha se ata ishin më të mirat të organizuara ndonjëherë, por ka ende punë për të arritur standardet e kërkuara
"Ato treguan se ka ende për t'u përmirësuar dhe nuk arritën të përmirësonin standardet, por ODIHR ka dhënë rekomandime".
Ndërsa në lidhje me vendimin e opozitës për të bojkotuar Parlamentin, ambasadorja britanike, tha se ndan të njëjtin qëndrim me atë të misionit të OSBE-së.
"Përsa i përket bojkotit të opozitës ka pasur një deklaratë të OSBE-së një ditë më parë dhe ne jemi dakord me atë qëndrim", theksoi ajo.
Këto qëndrime të faktorit ndërkombëtar vijnë në një moment kur Partia Socialiste, jo vetëm është e vendosur të mos shkojë në Kuvend, por ka lënë të kuptohet se do të zhvillojë edhe protesta në kuadër të plotësimit të shtatë kushteve të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›