Arrestohen pesë dilerë droge

Në një operacion të gjerë policor që u zhvillua në magjistralen Prishtinë-Ferizaj u arrestuan pesë të dyshuar për posedim, shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike dhe armëbajtje pa leje.
Dje në orët e pasdites në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka ndërmarrë një operacion policor me ç’rast ka arrestuar pesë persona të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike si dhe armëmbajtje pa leje’.
Këtij operacioni policor i parapriu një punë hetimore dhe operative nga DDHTN-së e Policisë së Kosovës dhe një urdhër i Prokurorisë Publike Themelore në Ferizaj, operacion ky i cili rezultoi me konfiskimin e 3 kilogramë substancë e dyshuar e llojit heroinë dhe arrestimin e pesë të dyshuarve: I.A, 1984, M.R 1978, S.O 1983, F.A 1987, G.O 1976.
I tërë operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e substancave narkotike, duke përfshirë edhe masat e fshehta hetimore, ka qenë i autorizuar nga Prokuroria Publike Themelore në Prishtinë.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i shtëpive të të dyshuarve me ç’rast janë gjetur dhe janë konfiskuar: një pushkë automatike AK-47, gjashtë fishekë të pushkës së gjuetisë, 34 fishkë të pistoletës të kalibrit 7.62, një pushkë gjuetie me leje të skaduar.
Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori me urdhër të të cilit të gjithë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore./Indeksonline/