E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka normalizim të raporteve pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Nuk do të ketë normalizim të raporteve me Serbinë pa u zbardhur fati i personave të zhdukur. Kështu tha sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në takimin që pati me Komisionin qeveritar për të pagjeturit. Ai tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të bëjë hulumtime në çdo cep të vendit, nëse ka dyshime për ndonjë varrezë masive, por ai shtoi se të njëjtën gjë e pret edhe nga Serbia.

Në takimin e sotëm të Komisionit Qeveritarë për Persona të zhdukur mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili shprehu gatishmërinë e qeverisë së vendit për të ndihmuar procesin e identifikimit të personave të zhdukur. Ai tha se edhe gjatë dialogut Prishtinë Beograd kjo çështje është diskutuar në tri takime. Kuçi tha se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk bëhet identifikimi i personave të zhdukur.

Kuçi gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të paguaj edhe ndonjë shpërblim në rast të informacioneve të sakta për varreza masive.

Në këtë takim u diskutua vendimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale rreth mundësisë së aplikimit të familjeve të personave të zhdukur me qëllim të realizimit të drejtës në pension. Megjithëse pati edhe vërejtje për shkak të mos informimit të drejt të zyrtarëve komunal për këtë çështje. Fadil Rracaj përfaqësues i MPMS tha se të gjithë familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë aplikimi për pension dhe se ministria në mënyrë qarkore do t’i njoftojë departamentet përkatëse nëpër komuna./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›