E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë

Qeveria ka hequr dorë nga fitimi që merr, që është i prezantuar në fatura dhe në rritje të çmimit të energjisë, duke bërë kështu që të mos ketë rritje të energjisë. Ky është premtimi që ka dhënë sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjatë një konference për media, ku nuk ka lejuar t’i bëhet asnjë pyetje.

Ai sërish ka ironizuar me të gjithë ata që kanë dhënë shifra deri më tani se sa do të rritet çmimi i energjisë, pasi, sipas tij, çfarëdo shifre që është dhënë nuk është e vërtetë. Ministri Beqaj ka premtuar se nuk do të ketë rritje të çmimit.

“Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë. Ky është një fakt të cilin ne e kemi bërë sot në konsultim me rregullatorin. Pra, Qeveria është dashtë të pret që të ketë rritje të fitimit të saj dhe ne kemi hequr dorë kështu që mirëpresim që shumë shpejtë Rregullatori të vjen me një vendim se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë”, ka thënë ai.

Ministri Beqaj sërish ka folur për faturat, duke përsëritur se askush nuk do të paguajë më shumë se shpenzimi që ka bërë por KEK-u do të ketë obligim që t’i rifundojë të gjitha ato.

Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të bien pre e politikës.

“Unë kërkoj mirëkuptim nga qytetarët dhe mirëkuptimi është që të mos bien pre e politikave që janë prezent dhe fuqinë e argumenteve gjithmonë sa u përket mbrojtjes së tyre do ta kenë në raport me Qeverinë nga ata që deri tash e kanë udhëheqjen në këtë shtet”, ka thënë ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›