Oficeri tenton të kapë të miturën, prangoset vetë
Dy punonjës policie kanë përfunduar në pranga nga kolegët e SHKB-së, pasi njëri ishte shpallur në kërkim që në fillim të muajit nëntor, ndërsa tjetri akuzohet për tentativën e përdhunimit të një vajze të mitur. Policia deklaroi se në pranga ka përfunduar Çaush Saliasi, i cili punonte në sallën operative të policisë në Kavajë dhe Fatmir Kryeziu, i cili ka punuar në policinë rrugore të Elbasanit.
Vetëm gjatë këtij viti, në Tiranë janë gjetur me shkelje të ndryshme që nga administrativet e deri te veprat penale rreth 139 punonjës policie. Ata u përkasin niveleve të ndryshme në polici dhe nga shkeljet e kryera prej tyre ka pasur edhe raste të arrestuarish. Shifra është deklaruar zyrtarisht edhe nga drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj. Madje, nga specialistët e policisë mësohet se shkeljet kanë qenë të ndryshme, që nga konsumimi i alkoolit, braktisja e vendit të punës, e deri te veprat penale, si korrupsioni, shpërdorimi i detyrës dhe mitëmarrja, pa lënë mënjanë edhe ato të rëndat, siç ishte rasti i fundit i një efektivi policie, që mori pjesë në pengmarrjen e një personi për shkak të një borxhi.
Në lidhje me arrestimin e Saliasit, policia shpjegoi se rasti tejet i rëndë është zbuluar rastësisht nga të pranishmit në një hotel, të cilët kanë parë policin, duke hyrë brenda në dhomën e paguar. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 16:30 të së hënës. 42-vjeçari Saliasi ka shkuar me një makinë te hotel "Hajdini", i shoqëruar me një vajzë të vogël. Aty kanë prenotuar një dhomë dhe janë ngjitur në hotel. Më pas, të pranishmit kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Bashkë me uniformat blu kanë mbërritur edhe kolegët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët e kanë gjetur në hotel punonjësin e policisë. Ai është marrë në pyetje, por nuk ka pranuar asgjë. Nga ana tjetër, e mitura 15-vjeçare i është nënshtruar një seance pyetjesh me psikologun, ku ka rrëfyer gjithë ngjarjen. Sipas të dhënave, ajo kishte telefonuar në numrin 129 dhe rastësisht kishte biseduar me Saliasin. Më pas, bisedat telefonike kishin qenë edhe më të gjata, derisa kanë vendosur të takohen bashkë. Ditën e hënë ata kanë ikur në hotel dhe pasi kanë hyrë brenda, punonjësi i policisë ka nisur ta ngacmojë e të kryejë veprime të turpshme. Në këto kushte, vajza është frikësuar pak, por ka deklaruar se ai nuk kishte tentuar ta përdhunonte. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm deklaroi se në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar telefonin e punonjësit të policisë të arrestuar, si edhe të vajzës së mitur, ku janë vërtetuar telefonatat mes tyre, si dhe shkëmbimi i mesazheve telefonike. Ky rast është cilësuar tejet flagrant për uniformat blu, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë "Shqip" publikoi një analizë të sallave operative, ku sipas të dhënave kishte shumë telefonata, që mund të cilësoheshin si thirrje erotike. E pikërisht nga këto lloj telefonatash mendohet se ka ardhur edhe ngjarja e rëndë e regjistruar në Kavajë.
Ndërsa për punonjësin e policisë rrugore të arrestuar në Elbasan, burimet e SHKB-së shpjeguan se ishte në kërkim që prej dy muajsh. Nga të dhënat hetimore mësohet se i arrestuari Fatmir Kryeziu, 48 vjeç, efektiv i policisë rrugore, ishte shpallur në kërkim me urdhër prokurori, pasi gjykata i kishte dhënë "arrest me burg". Bëhet fjalë për rastin e zbuluar më 5 nëntor të këtij viti, ku tre efektivë të policisë rrugore të Elbasanit u akuzuan për korrupsion dhe mitëmarrje. Në atë kohë është arrestuar Elmaz Muça, banor i lagjes "28 Nëntori" në Elbasan dhe janë shpallur në kërkim policor dy kolegët e tij, përkatësisht Fatmir Kryeziu, i arrestuar dje, banor i lagjes "Çlirimi" dhe Endrin Elezi, banor i Lagjes numër 1 të Cërrikut. Mësohet se ndaj tyre, prej disa javësh kishte filluar një hetim për mitëmarrje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit dhe atij në qendër. Hetimi kishte objekt rastet e marrjes së parave (e sasitë përkatëse) nga rrugorët kundrejt tolerimit të parregullsive në dokumentacionin e automjeteve apo shkeljen e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e tyre.