E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova së shpejti kthen reciprocitetin ndaj Serbisë

Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 00:29

(E plotësuar)Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar për KosovaPress se masat reciproke ndaj produkteve të Serbisë do të rikthehen shumë shpejt, sepse siç ka thënë ajo, marrëveshja duhet të respektohet nga të dyja palët.

Gjatë ditës së djeshme dy maune nga Kosova, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, kanë hyrë në Serbi, por që më vonë janë kthyer, për shkak të mos pranimit të dokumenteve të Kosovës nga shteti fqinj.

Ministrja Kusari - Lila ka deklaruar se aplikimi i masave të reciprocitetit do të merret shumë shpejt, vetëm se duhet koordinuar edhe disa hapa.

“Vendimi për reciprocitetit do të merret, por vetëm jemi duke i koordinuar disa hapa, sepse marrëveshja duhet me u respektuar prej dyja palëve. Jemi duke pritur konfirmimin e kthimit të kamionëve dhe për të pas të qartë të gjithë situatën”, ka thënë Kusari-Lila.

Raportohet se disa maune nga Kosova kanë kaluar doganën serbe, por në terminalin doganor ato janë kthyer.

Ministrja nuk ka dashur të precizojë ditën se kur do të merret vendimi për kthimin e masave të reciprocitetit, por ka thënë kjo do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme.

“Shumë shpejt, sot gjatë ditës jo, por gjatë ditëve të ardhshme. Po du me lejuar edhe pak kohë me u sqaruar me Beogradin, se prapë ata po nxjerrin probleme rreth dokumenteve”, ka thënë ministrja.

Ndryshe importi nga Serbia vazhdon të jetë i madh, ku parashihet që mbi 200 maune kanë hyrë në Kosovë që nga dita e premte, kur është hequr reciprociteti pas një marrëveshje që është arrit në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit për vulat doganore.

Ndryshe, deri sa Serbia nuk po i njeh vulat e doganore të Republikës së Kosovës, qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës i ka pranuar këto vula, si pasojë e humbjeve të mëdha që i janë shkaktuar ekonomisë së këtij vendi, pas aplikimit të taksës doganore prej 10 për qind ndaj prodhimeve të këtij vendi.

Serbia kthen prapa kamionët

Kthehen prapa kamionët që kishin hyrë në Serbi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari-Lila, ministre e tregtisë dhe Industrisë

“Sapo u informuam se të njëjtit kamionë, të cilët mbrëmë kanë hyrë në territorin e Serbisë, janë kthyer prapa për në Kosovë. Ende nuk i kemi të sqaruara të gjitha detajet dhe arsyet e kthimit të këtyre kamionëve”, tha Kusari -Lila,

Ky lajm pason njoftimet e mëhershme se tre kamionë më çimento, kanë kaluar nga Kosova për në territorin e Republikës se Serbisë dhe janë dërguar në terminalin doganor në Preshevë.

Njëri nga eksportuesit ishte edhe kompania e Çimentos në Han të Elezit, "Sharrcem".

Menaxheri i shitjes në këtë kompani, Naxhid Raka, për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar kthimin e kamionëve. Ai pati deklaruar se eksporti ishte bërë me dokumente përcjellëse që mbajnë emblemën e UNMIK-ut.

“Ne kemi eksportuar më dokumente të vjetra, kurgjë të re nuk ka. Nuk ka lëvizje në bazë të marrëveshjes se re".

"Ne kemi eksportuar dje dhe ky eksport ka shkuar përmes një kompanie, e cila është e regjistruar në UNMIK. Pra eksporti është bërë më procedurë të vjetër, me procedura të reja nuk kemi filluar ”, tha Raka.

Por, zëvendës-kryeministrja Kusari- Lila, tha se "nuk ekzistojnë dokumente të UNMIK-ut, ekzistojnë vetëm dokumente të Doganave të Kosovës, për të gjitha mallrat në përgjithësi".

"Për kualitetin dhe verifikimin e origjinës se mallit ekzistojnë agjencitë kosovare", ka thënë zonja Kusari-Lila.

Dhe ndërkohë që pengesat për kompanitë kosovare ende nuk jane sqaruar, kompanitë serbe vazhdojnë të fusin prodhimet e tyre të papenguar në territorin e Kosovës.

Lila: Produktet kosovare hyjnë në Serbi

Mallrat komercialë nga Kosova kanë hyrë në territorin e Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.

Ajo tha se mbrëmë, "tre kamionë më çimento, kanë kaluar nga Kosova për në territorin e Republikës se Serbisë dhe janë dërguar në terminalin doganor në Preshevë".

Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, Serbia kishte ndaluar hyrjen e prodhimeve kosovare në territorin e saj.

Mallrat e Kosovës hynë në Serbi

Kosova dhe Serbia do të jenë më larg reciprocitetit pasi që autoritetet serbe kanë lejuar që kamionët me mallra Kosove të hynë në Serbi.

Lajmin e konfirmoj për KTV, drejtori i doganave Naim Horglica, në emisionin Interaktiv të KTV-së.

“Ka lajme të mira, sepse kam marrë informacionet se kamionët e parë kanë kaluar sonte tek pika e Dheut të Bardhë”, ka thënë Huruglica, transmeton Indekonline.

Ai ka thënë se do të pritet edhe gjatë ditës së martë të shihet nëse Beogradi e ka seriozisht, ose përndryshe mund të kthehet vendimi politik për reciprocitet me Serbinë.

Ndryshe, ministrja e tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se do të ankohet të shefi i negociatave Kosovë-Serbi, Robert Cooper nëse Serbia nuk lejon mallrat e Kosovës të kalojnë në Serbi.

“Të hënën do të dorëzohet shkresa te ndërmjetësi ndërkombëtar dhe nëse në ndërkohë nuk ka ndryshim në vendimin e autoriteteve serbe, atëherë është çështje ditësh që pala kosovare do të fillojë aplikimin e reciprocitetit”, ka thënë Kusari-Lila.

S’e heq bllokadën

Nt: Serbia vazhdon bllokadën ndaj mallrave kosovare, derisa në tregun kosovar deri tash janë futur rreth 200 kamionë me mallra serbe. Eksportuesit kosovarë as që po tentojnë të nisin eksportin drejt këtij shteti, pasi thonë se nuk duan të krijojnë shpenzime e të kthehen mbrapa nga doganierët serbë. Qeveritarët premtojnë se rikthimi i reciprocitetit është çështje ditësh.

Albulena Maloku
albulena.maloku@gazetaexpress.com

Prishtinë, 19 shtator –
Prodhuesve kosovarë as që po iu shkon në mend të marrin rrugën për të eksportuar mallrat e tyre në tregun e Serbisë. Tashmë ata janë në dijeni se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për njohjen e vulave doganore dhe thonë se nuk duan të bien në mashtrimet e këtij shteti.

Vazhdimi i bllokadës nga ana e Serbisë, ka bërë që eksportuesit kosovarë të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, rikthimin e masave të reciprocitetit ndaj këtij shteti.

Sipas ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, nëse Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj produkteve kosovare, atëherë thotë se do të jetë çështje ditësh kthimi i masave të reciprocitetit.

“Tashmë e kemi njoftuar ndërmjetësin ndërkombëtar për moszbatimin e marrëveshjes nga pala serbe. Dhe nëse as presioni i ndërkombëtarëve nuk do të ketë rezultat për njohjen e marrëveshjes për vulat doganore, atëherë do të jetë çështje ditësh kthimi i masave të reciprocitetit”, tha ministrja Kusari-Lila për Express.

Këtu sipas saj, flitet për një periudhë të shkurtë kohore. Nëse as presioni i ndërkombëtarëve nuk do të arrijë të ndryshojë qëndrimin e Serbisë, atëherë sipas ministres, kthimi i masave të reciprocitetit do të jetë zgjidhja e vetme në këtë situatë.

“Çështja e vulave doganore nuk do të kthehet më kurrë në tryezën e bisedimeve. Por as situata para datës 20 korrik nuk do të kthehet kurrë më. Tash ne presim edhe përgjigjen nga autoritetet ndërkombëtare dhe nëse kjo nuk rezulton të jetë pozitive, atëherë Qeveria do të ndalojë prapë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë”, tha Kusari-Lila.

Eksportuesit kosovarë, në anën tjetër, tregojnë se tashmë janë në dijeni se ky shtet po vazhdon të aplikojë bllokadën ndaj mallrave kosovare.

Prodhuesi i lëngjeve, Bashkim Osmani, tregon për Express se ai nuk e ka ndërmend të nisë mallrat e tij drejt tregut të Serbisë. “Ne nuk kemi tentuar të nisemi për të dal në tregun e Serbisë, sepse jemi në dijeni se ky shtet nuk po i pranon dokumentacionet e Kosovës”, thotë Osmani.

Përveç kësaj, ai thotë se ka informacione se tregtarët të cilët kanë tentuar të dalin në këtë shtet, kanë hasur në pengesa nga doganierët serbë.

“Edhe pse marrëveshja ka hyrë në fuqi, kemi informata se tregtarët kosovarë kanë ngelur në kufi, e më pastaj janë kthyer nga kanë ardhur”, thotë Osmani.

Derisa nuk do të rregullohet kjo çështje, ai nuk do të tentojë as edhe një herë të marrë rrugën për të dalë në tregun e këtij shteti. Madje ai kërkon nga Qeveria që t’i rikthejë masat e reciprocitetit.

“Derisa nuk funksionon kjo marrëveshje, ne nuk mund të bëjmë lojëra të tilla, të nisemi për këtë treg, e të krijojmë shpenzime. Ne edhe ashtu kemi qenë skeptikë se do të respektohet marrëveshja. Andaj, pasi nuk po e respektojnë marrëveshjen, pse të mos kthehet edhe një herë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë”, tha ai.

Edhe prodhuesi i patates, Bedri Kosumi tregon se që nga e premtja, kur edhe ka filluar respektimi i marrëveshjes për vulat doganore, nuk ka tentuar të eksportojë produktet e tij në këtë shtet. “Mallin tonë e shoqëron certifikata fitosanitare dhe ajo e origjinës bashkë me vulën e Kosovës, dhe nuk ka mundësi të dalim andej”, thotë ai.

Të dhënat e Doganave tregojnë se mallrat serbe kanë vazhduar të futen në territorin e Kosovë pa i penguar askush.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tregon për Express se edhe gjatë ditës së hënë asnjë mall komercial nga Kosova nuk ka kaluar në Serbi, ndërsa nga shteti serb në territorin e Kosovës, vazhdojnë të hyjnë dërgesa të ndryshme.

“Që nga dita e premte, kur edhe janë hequr masat e reciprocitetit, deri në orët e vona të së dielës janë futur mbi 150 kamionë, kurse deri në përfundim të ditës së hënë presim që ky numër të arrijë deri në 200 apo mbi 200 dërgesa të ndryshme nga Serbia”, bën të ditur Stavileci. Në anën tjetër, ai tregon se eksporte nga Kosova drejt këtij shteti nuk ka pasur deri më tani, përveç një tentimi të pasuksesshëm për shkak të refuzimit të dokumentacionit nga doganierët serbë. Ai thotë se arsyetimi i palës serbe se pse nuk është lejuar të futet ky kamion në territorin e Serbisë, ka qenë se dokumenti nuk ka qenë në rregull.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik kishte vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë të premten më 16 shtator.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›