Arrestohet 20-vjeçari për trafik klandestinësh
GJIROKASTER- Rreth orës 21:30, dje në mbrëmje, nga ana e shërbimeve të policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kakavije dhe policisë së Gjirokastrës, u kapën afër vijës së kufirit, pranë fshatit Kakavi, 6 klandestinë të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Sot është arrestuar personi që i ka ndihmuar të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Është arrestuar në flagrancë Zamir Meta, 20 vjeç, banues në fshatin Gorishovë të Fierit. Zamiri është arrestuar për dhënie ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit. Kjo pas punës së bërë me personat e ndaluar dje, nga ana e Specialistëve të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme, u bë e mundur të provohej që njeri prej këtyre shtetasve dhe pikërisht Zamir Meta, të ishte pjesë e një grupi të organizuar me fillesën e vet në qytetin e Fierit dhe itinerar përfundimtar në Janinë-Greqi.
Meta ishte duke u dhënë ndihmë shtetasve të tjerë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrej shumave 600-700 euro për çdo person.
Ai i priste klandestinët në Gjirokastër dhe pasi i strehonte në hotele të ndryshme, ditën e nesërme i kalonte nëpërmjet kufirit të gjelber deri në Janinë, ku atje i prisnin persona të tjerë pjesëtar të këtij grupi të organizuar për t’i çuar në destinacionet e tyre. Vazhdon puna për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të personave të tjerë pjesë e këtij grupi dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Është rasti i dytë brenda dy ditëve të fundit, që nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar është intensifikuar puna për goditjen e grupeve kriminale me aktivitet në trafikimin e qenieve njerëzore drejt shtetit grek kundrejt shumave te konsiderueshme nga 600-2500 euro.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale të “Dhenies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga neni 298/3 I K. Penal.