E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 32-vjeçari, plagosi fqinjin për xhelozi

Policia e Beratit ka prangosur Eduart Lamen, 32 vjeç, i cili dyshohet se ka plagosur për motive xhelozie Elton Shametin. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10.00 në lagjen "Uznovë". Burimet zyrtare nga policia bënë me dije se kanë arrestuar në kushtet e flagrancës Lamen, i martuar dhe banues në lagjen "Uznovë". Arrestimi i tij u bë për akuzën e "plagosjes së rëndë". Policia tha se Shameti ka qenë duke punuar për lyerjen me bojë të banesës njëkatëshe të vjehrrës së tij, pranë shkollës 9-vjeçare të "Uznovës", kur "kundërshtari" i tij, Eduard Lame, ka shkuar te familja ku ai punonte dhe ka kërkuar të sqarohet me të për një alibi xhelozie që ai kishte me të prej disa ditësh. Në bisedë e sipër, Lame ka nxjerrë armën e tij, një thikë, që përmbushte plotësisht kushtet e një arme të ftohtë dhe e ka qëlluar Elton Shametin me një goditje të vetme pas qafës dhe më pas është larguar me shpejtësi në thellësi të lagjes. Shameti është rrëzuar në tokë i gjakosur, ndërkohë që pranë tij janë gjendur menjëherë disa nga banorët fqinjë të së vjehrrës. Këta të fundit e kanë dërguar me shpejtësi në urgjencën e spitalit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka dalë nga çdo rrezik i mundshëm për jetën. E njoftuar menjëherë nga spitali, nëpërmjet numrit 129, në vendngjarje ka shkuar furgoni i forcave të gatshme dhe grupi i ekspertëve të policisë gjyqësore. Rreth një orë pas ngjarjes, policia ka mundur të kapë autorin dhe ta dërgojë atë në dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Beratit. Policia tha se grupi i ekspertëve të hetimit ka grumbulluar provat e mjaftueshme në vendngjarje dhe rreth mesditës së djeshme ka firmosur masën e arrestit në kushtet e flagrancës. Po dje, dosja në ngarkim të tij iu kalua organit të prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›