"Trafiku i organeve", delegacioni i KE-së takime me Ina Ramën
Një delegacion i Këshillit të Europës ka zhvilluar dje paradite një takim në zyrën e Prokurores së Përgjithshme në Shqipëri, për të hetuar mbi akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit, ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pas ka trafikuar organet e tyre. Senatori zviceran, Dik Marti, është takuar me kryeprokuroren Ina Rama, e cila e ka njohur Martin se në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk ka pasur asnjë klinikë për transplante të tilla, madje pretendimet e Serbisë janë hetuar në vitin 2004, nga ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku. Madje, në Prokurorinë e Burrelit është ngritur një grup hetimi, i ndihmuar nga akuza qendrore, për të marrë të gjitha të dhënat rreth pretendimeve të tilla. Kryeprokurorja Rama mësohet se e ka njohur delegacionin e KE-së me rezultatet e hetimit, ku rezultoi se pretendimet e Beogradit janë të pasakta. Megjithatë, kryeprokurorja Rama i ka shprehur gatishmërinë delegacionit për ndihmën e prokurorisë shqiptare në verifikimin për transplant organesh, ndërsa i premtoi se do t‘i vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe hetuesit më të mirë për hetimin e tyre. Dy ditë më parë, "hetuesi" zviceran Dik Marti zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Biseda është quajtur "sekrete", duke mos dhënë asnjë deklaratë për shtyp. Mësohet se nga pala shqiptare është mbajtur një qëndrim mohues rreth ekzistencës së një "klinike" për transplante organesh në një qytet të Shqipërisë, i përmendur në librin e Karla del Pontes. Mësohet se ministri Alibeaj e ka njohur delegacionin e KE-së rreth verifikimeve të palës shqiptare për rastin në fjalë, si edhe angazhimet e drejtësisë shqiptare për hetimin e pretendimeve të palës serbe. Senatori zviceran ka kërkuar nga pala shqiptare angazhim dhe bashkëpunim për të verifikuar edhe njëherë të gjitha pretendimet.