E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat, biznesi "ngopet" me gjoba

Kanë mjaftuar 1200 kontrolle për zonën e Tiranës, për të mësuar se gjysma e bizneseve të mëdha dhe të mesme nuk janë të pajisura me kasa fiskale, sikurse e parashikonte VKM-ja brenda datës 31 maj. Prej dy muajsh, grupet e inspektorëve në Drejtorinë e Kontrollit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kanë kryer një monitorim të Tiranës, për të parë nga afër procesin e vendosjes së kasave fiskale. Brenda muajit maj 2009, ishin shpërndarë 2500 pajisje fiskale, pra as gjysma, duke detyruar tatimorët të sensibilizojnë biznesin për zbatimin e ligjit. Burime për "Shqip" thanë se janë vendosur 5 milionë lekë të reja gjobë, për shkak të mosrespektimit të afatit për pajisjen fiskale. Megjithatë, të dhënat janë paraprake, pasi inspektorët janë duke bërë çdo ditë verifikimet në terren. Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa pritet të nisë fushata e madhe në muajin shtator, periudhë kur hyn në fuqi afati për kasat në rrethet e vendit.

Procesi

Tatimet nuk japin numër të saktë të bizneseve që kanë gjobitur, por vlerësohet se të paktën 50 subjekte mund të jenë penalizuar. Procesi i vendosjes së kasave gjykohet mjaft i vështirë për organet tatimore. Mjafton të shikosh bizneset VIP, që edhe pse me mundësi financiare dhe staf të kualifikuar, nuk janë pajisur me kasa fiskale, për të kuptuar sa i vështirë do të jetë procesi kur të shtrihet edhe te subjektet e vogla. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet strukturave të saj, përpiqet të sensibilizojë bizneset që të përfshihen në procesin e vendosjes së kasave. Përdorimi i pajisjeve fiskale do të shmangë abuzimin me detyrimet tatimore dhe e bën më të lehtë llogaritjen e bilancit ekonomik për çdo biznes.

Faza e dytë

Në shtator do të nisë faza e dytë e vendosjes së pajisjeve fiskale për qytetet e mëdha, pas Tiranës. Bëhet fjalë për bizneset e mesme me TVSH, të cilat kanë afat katër muaj, për t‘u pajisur me memorien fiskale. Edhe këto kategori biznesesh do të përballen me të njëjta masa ndëshkimi, sikurse u veprua me biznesin e madh. Duhet sqaruar se të gjitha bizneset e mëdha (VIP), me xhiro vjetore mbi 15 milionë lekë, pavarësisht ku ndodhen, varen direkt nga Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë. Për rrjedhojë, kontrolli i kryer në dy muaj e fundit është shtrirë edhe nëpër rrethe të tjera, ku ka biznese të mëdha.

Tregu

Janë rreth 90 mijë biznese që duhet të pajisen me kasa fiskale brenda vitit 2010. Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka autorizuar pesë shoqëri private, pas fitimit të tenderit, që të nisin punën për implementimin e projektit. Këto shoqëri ankohen për vështirësi të shumta në terren, pasi biznesi nuk e ka informacionin e duhur. Mes problemeve të shumta, paraqitet çmimi i kasës, afati për vendosjen, si edhe respektimi i kontratës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›