Arrestohet 46-vjeçari, po shpërthente një bunker
01/09/2010 LIBRAZHD-Një 46-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi nëpërmjet eksplozivit artizanal po shpërthente një bunker për t’i marrë hekurin. Shtetasi është arrestuar në fshatin Kuturman të komunës Qendër në Librazhd. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është kapur shtetasi Shefki A. 46 vjeç lindur dhe banues në Kuturman është kapur në këtë fshat teksa po vendoste sasinë e eksplozivit artizanal të bërë me mjete rrethanore në një prej bunkerëve të shumtë në këtë zonë. Qëllimi i tij ishte të grumbullonte hekurin për ta shitur më pas për skrap. Por kur është bërë gati për vendosjen e eksplozivit është kapur nga agjentët e policisë që kishin grumbulluar informacion për aktivitetin e paligjshëm të banorëve në grumbullimin e skrapit. Shpërthimi i bunkerëve nuk është fenomen i ri në qarkun e Elbasanit. Në komuna të largëta shumë banorë e kanë mjet fitimprurës shpërthimin e tyre dhe grumbullimin e sasisë së hekurit të përdorur, të cilin ose e ripërdorin për ndërtime ose e shesin për skrap.