E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 67-vjeçari në Kapshticë, tentoi të fuste në Shqipëri 38 mijë dollarë duke i fshehur në trup

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë ndaloi një 67-vjeçar që tentoi të kalonte në mënyrë të paligjshme 38 000 dollarë të fshehura në trup. Gjatë kontrollit në banesë, specialistët gjetën dhe sekuestruan edhe 35 000 euro. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia:

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë

Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Tentoi të fuste duke i fshehur në trup 38 000 dollarë amerikanë, kapet në dalje të PKK-së 67-vjeçari dhe procedohet penalisht.

Gjatë kontrollit në banesën e 67-vjeçarit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë gjetën dhe sekuestruan edhe 35 000 euro.

Procedohet penalisht poseduesi i shumave të parave në dollarë dhe euro.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Gj. F.

Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruara.

Më tej, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe 35 000 euro. Shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›