E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Lavitola, në ‘09 u përgjua me Metën

ITALI- Ish-drejtori i gazetës italiane “Avanti”, Valter Lavitola është prangosur dje në Itali. Akuza ndaj tij është korrupsion ndërkombëtar. Lavitola dyshohet se ka korruptuar qeverinë e Panamasë. Sapo ka zbritur nga avioni që vinte nga Buenos Aires ai është dërguar në një burg në Napoli. Sipas prokurorëve, ai ka ndërhyrë për një kontratë për ndërtimin e burgjeve në Panama.

Mësohet se presidentit të Panamasë i ishte premtuar një helikopter me një vlerë prej 8 milion eurosh në këmbim të kontratës. Vlera e kësaj të fundit ishte 176 milion euro. Ndërkohë me ndërhyrjen e Lavitolas ishte rritur më shumë afera. Deri më tani mendohet se vlera e premtuar për t’u përvetësuar nga kontrata ishte 28 milion euro. Lavitola u bë i njohur në Shqipëri kur në Itali u “gozhdua” ish-ministri i Jashtëm Franko Fratini, që akuzohej se kishte ndihmuar Lavitolan në aferat e tij. Në tetorin e vitit të kaluar gazeta

“La Repubblica” i rezervoi faqen e parë çështjes së Lavitola-s dhe kërkesës së tij drejtuar sekretares së ministrit Frattini për t’u takuar në tetor të vitit 2009 me zv/ kryeministrin, njëherazi shefin e diplomacisë shqiptare të aso kohe, Ilir Metën. “Meta është ai që mban në këmbë qeverinë Berisha. Ka katër deputetët dhe po kërkon të blejë edhe nëntë të tjerë”, është shprehur mes të tjerash Lavitola në përgjimet e zbardhura nga “La Repubblica”. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili bëri të ditur se do të padiste për shpifje gazetën italiane. Ardit Çela, Sekretari për Marrëdhëniet me publikun në LSI deklaroi në emër të Metës se “La Repubblica” duhet t’i kërkonte falje publike z.Meta për shpifje. Ai iu tha gazetarëve se “kjo gazetë joserioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime, ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të z.Ilir Meta, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali”, u shpreh mes të tjerash Çela.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›