E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet bosi i "Ndrangheta", pushonte në Vlorë

Simoneli ishte pjesë e listës së shumë të kërkuarve të Interpolit. Policia e Vlorës dhe ajo e vendit fqinj pohojnë se 32-vjeçari, lindur dhe banues në Tropea të Italisë, akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës, mes Italisë dhe Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Aksioni u ndërmor dje rreth orës 15:00, kur policia mësyu në plazhin e Jonufrës, duke vënë në pranga 32-vjeçarin italian Xhuzepe Simoneli. Fillimisht, efektivët e veshur si civilë kanë rrethuar çadrën ku italiani i shumëkërkuar qëndronte buzë detit së bashku me dy miq të tij; një shqiptar dhe një italian.
Në momentin e arrestimit Simoneli ka bërë të habiturin duke u shprehur se autoritetet policore e kishin ngatërruar me ndonjë person tjetër dhe se gjendej në Vlorë për pushime.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar para nga Interpoli, i dyshuar si anëtar i një organizate kriminale që ka pasur si qëllim trafikimin e sasive të mëdha (1500 kg) të lëndëve narkotike, trafik të cilin dyshohet se e realizonte nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore (Kolumbi, Ekuador etj) drejt Italisë.

Simoneli mësohet se ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 31 korrik dhe është mbajtur në vëzhgim nga seksioni i luftës kundër narkotikëve. Dy personat që e shoqëronin kalabrezin e njohur me nofkën "Paco"; një shqiptar dhe një italian janë lënë të lirë pasi nuk ka pasur asnjë urdhër ndalimi për ta.

Policia deklaron se tashmë është në pritje të ekstradimit të tij në drejtim të Italisë, ndërsa në shtetin shqiptar nuk ka asnjë hetim kundër tij. Ndërkaq, mediat italiane bëjnë të ditur se prokuroria italiane kishte nisur hetimet që prej një viti për rrjetin e drogës (pjesë e klanit Mancuso) ku dyshohet se bën pjesë Simoneli.

Dy ditë më parë u raportua se u prangosën 12 anëtarë të këtij rrjeti dhe se dje me arrestimin e Simonelit e tre të të tjerëve (emrat nuk bëhen të ditur), numri arriti në 16.

Arrestimet janë komunikuar për mediat e vendit fqinj nga prokurorët Roberto Alfonso dhe Enrico Cieri. /Start/

                                                                                             2011-08-05 09:13
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›