E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Jam i interesuar për paqe me Ilir Metën

TIRANË-Deputeti  Dritan Prifti në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare” deklaron se tashmë është i interesuar për marrëdhënie paqësore me Ilir Metën. Ndërkohë që shton se nuk ka aspak besim te drejtësia lidhur me të ashtuquajturin skandali i video-përgjimit Meta-Prifti. I pyetur nëse do ta votonte kandidaturën e Fatos Nanos për President të Republikës, ai sqaron se ka predispozicionin për ta menduar këtë çështje.
Z.Prifti, si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të procesit hetimor lidhur me të ashtuquajturin skandali i video-përgjimit Prifti-Meta dhe a keni besim tek drejtësia?
Nuk kam aspak besim te drejtësia në Shqipëri. Shitja e turpshme që i bëri Kolegji Zgjedhor rezultatit për Bashkinë e Tiranës më ka bërë të besoj se drejtësia në Shqipëri nuk i përballon dot presionet nga politika. Drejtësia s’ka për të marrë kurrë vendime të drejta kur bëhet fjalë për politikanë. Drejtësia bëhet gjithmonë me pushtetin, ashtu siç ndodhi me Kolegjin Zgjedhor. Ka individë tepër të ndershëm në sistemin tonë të drejtësisë, por shumica nuk janë të pavarur dhe ndikohen fort nga politika apo forca e parasë. Përsa i përket hetimeve të videos Prifti-Meta siç e quani ju, mund të them se jam i kënaqur që drejtësia nuk manipuloi provat që unë dorëzova, ekspertët certifikuan paprekshmërinë dhe origjinalitetin e videos që unë dorëzova. Për këtë pjesë jam i qetë. Provat e mia dolën të pamanipuluara, ndryshe nga akuzat që më bëri z.Meta. Se si do vazhdojë kjo histori, unë nuk e di. Kam dëgjuar shumë historira për gjyqtarë të caktuar në trupën gjykuese, por deri tani vendimet e kësaj trupe gjykuese kanë qenë korrekte dhe të pandikuara politikisht. Sigurisht do ta ndjek me vëmendje vazhdimin e këtij procesi.
A ndjeheni më të kërcënuar, ju dhe familja juaj?
Sigurisht që unë dhe familja ime ndjehemi të kërcënuar. Kam marrë shumë kërcënime gjatë vitit të fundit dhe akoma asnjë prej tyre nuk është zbardhur nga hetimet. Kam përballë në gjykatë ish zv/kryeministrin, njeriun që edhe sot mban në pushtet këtë qeveri me 4 votat e tij në parlament. Kam përballë gjithë pushtetin dhe qeverinë. Përveç kësaj, z.Meta është person që në rrethin e tij miqësor ka dhjetëra kriminelë, njerëz të futur shpesh herë nëpër burgje deri edhe për vrasje. Njerëz pranë Metës flasin që ai s’do ma falë kurrë mua këtë që i bëra. Unë s’jam supermen dhe sigurisht që shqetësohem kur flitet për rrezik mbi jetën time dhe të familjes. Por, nuk jetoj me frikë. Metës i kam thënë se çdo lloj goditje që mund të kem unë prej tij, ai do ta paguajë dhjetë herë më shumë. Jam i interesuar për marrëdhënie paqësore me atë, por jam i përgatitur për çdo gjë.
A keni vendosur të angazhoheni në një parti politike?
Sigurisht që në të ardhmen do të angazhohem në një parti politike. Detajet mbeten për t’u vendosur nga fundi i këtij viti.
Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet lokale të 8 majit dhe në veçanti për ato në Tiranë?
Zgjedhjet ishin normale, deri në momentin që KQZ-ja vendosi të ndryshonte rezultatin në tavolinë. Më bëri përshtypje fushata e qetë e z.Basha. Ai fitoi shumë prej këtyre zgjedhjeve sepse spikati si një lider me format tjetër nga ato që ishim mësuar të shihnim nga PD-ja. Basha tani ka gjithë të drejtën për një karrierë të sukseshme brenda PD-së. Pavarësisht se ai nuk e fitoi me drejtësi Bashkinë e Tiranës, diferenca prej 10 votash, i jep atij një avantazh moral me gjithë ata që e konkurrojnë në PD. Kurse Rama nuk ka pasur kurrë më shumë personazhe socialistë që kanë punuar kundër tij se në këto zgjedhje. Kjo situatë duhet analizuar me detaje dhe kujdes, ndryshe Rama s’do fitojë më kurrë beteja elektorale.
Kohë më parë në emisionin “Top Story” keni deklaruar, ju citoj: “Meta është pjesë e një skenari ogurzi për Shqipërinë. Meta bashkë me Sali Berishën, Lulzim Bashën kanë bërë plan që me çdo mënyrë t’i marrin Edi Ramës Bashkinë e Tiranës. Ilir Meta pas kësaj, me disa njerëz që janë brenda PS-së dhe disa që janë jashtë, do të ndërmarrë një fushatë kundër Ramës për të marrë PS-në, duke përdorur paratë e pista që po fiton”. Tani që zgjedhjet mbaruan dhe kur Edi Rama nuk është më kreu i Bashkisë së Tiranës, a e shihni të realizuar këtë skenar që keni paralajmëruar?
Nëse Rama nuk do fitonte me 10 vota betejën e Bashkisë së Tiranës tani do ishim duke parë aktualizimin e këtij skenari ogurzi. Ata që janë kundër Ramës në PS nuk e fillojnë dot luftën kundër Ramës, sepse ai nuk humbi. Ramës ju vodhën zgjedhjet. Ky skenar dështoi por mund të jetë duke pësuar mutacione dhe mund të shfaqet në ndonjë lloj forme në vjeshtë.
Javët e fundit është hapur një debat lidhur me ndryshimin e Kushtetutës. Ju jeni pro apo kundër amendimit të ligjit themeltar të shtetit?
Unë kam qenë dikur në një grevë urie kundër ndryshimeve të fundit kushtetuese. Unë s’mund të mohoj që LSI-ja dikur ka pasur dhe qëndrime parimore, pozitive për vendin. Unë kam hedhur prej kohësh idenë e ndryshimeve kushtetuese.
Një çështje që lidhet me ndryshimet kushtetuese është edhe ajo për zgjedhjen e kreut të shtetit. Cili është komenti juaj për këtë çështje?
Zgjedhja e Presidentit duhet bërë nga populli me votim të drejtëpërdrejtë dhe zgjedhja e disa institucioneve të drejtësisë duhet bërë me zgjedhje nga populli. Nëse kemi një President të fortë dhe të pavarur dhe drejtësi të pavarur të zgjedhur nga populli, Shqipëria mund t’i bëj ballë çdo lloj konfiguracioni politik, qoftë dhe me natyrë diktatoriale.
Maxhoranca ka bërë së fundmi të ditur se Presidenti i ri i Republikës do të zgjidhet me votat e saj. Në prill të vitit 2010, në emisionion “Ora e debatit” ju keni deklaruar mes të tjerash se do ta votonit kandidaturën e Fatos Nanos për President duke konfirmuar madje se, citoj: “sigurisht që ai do ta marrë votën time”. Tanimë që ju nuk jeni pjesë e maxhorancës, i qëndroni ende kësaj deklarate?
Kam thënë dikur se nëse Fatos Nano do ishte kandidat i maxhorancës ku unë bëja pjesë, unë do votoja për atë. Tani nuk jam në atë maxhorancë. Maxhoranca i ka votat për të zgjedhur një President dhe pa votën time. Nëse z.Nano do kërkojë votën time si kandidat i opozitës për President unë kam predispozitën ta mendoj këtë çështje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›