Arrestohet grabitësi i kazinos

Hetues rajonalë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Prizrenit të cilët ishin të ngarkuar me hetimin e rastit të grabitjes së kazinosë “ACT” që pati ndodhur para pesë muajve në Malishevë, tanimë kanë arrestuar një 42 vjeçar në cilësi të personit të dyshuar nga Malisheva.
“Para pesë muajve, i dyshuari kishte kryer grabitjen, me ç’rast kishte rrëmbyer 6 000 euro dhe gjashtë telefona mobil të llojeve të ndryshme. Pas intervistës, në konsultim me prokurorin është vendosur që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit policor”, thotë toger Hazir Berisha, zëdhënës rajonal i Policisë në Prizren.
Po ashtu hetuesit rajonalë kanë intervistuar një të dyshuar i cili kishte qenë i implikuar në një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në një objekt të lojërave të fatit në Prizren.
Sipas raporteve policore thuhet se para dy muajve tre të dyshuar si anëtarë të grupit kanë hyrë në kazino dhe kanë dëmtuar aparaturat që ndodheshin aty.
Njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me pistoletë në një aparaturë duke e dëmtuar atë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Ndërkaq sot është intervistuar i dyshuari dhe nga ai është sekuestruar një pistoletë e llojit “Crvena Zastava” e cila dyshohet të jetë përdor në rast.
Sipas hetuesve, dyshohet se kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrje ndaj një rasti tjetër të ndodhur në restorantin “Pojata” në Landovicë kohë më parë ku ishin shkrehur breshëri automatikesh për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mes tyre./Indeksonline/