E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet guvernatori i Kosovës, Hashim Rexhepi

Krerë të Bankës Qendrore, nën hetim për abuzime, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Pranga dhe hetim drejtuesve të lartë

Njësitet e policisë së EULEX-it dhe të Kosovës arrestuan dje guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepin, me dyshimet për korrupsion, marrje ryshfeti, shmangie nga tatimi, ushtrim ndikimi dhe pastrim parash.

Arrestimi është kryer rreth orës 10:15, ndërsa njësitet e hetuesisë kanë bastisur zyrat e Bankës Qendrore dhe të pronave private të disa të dyshuarve që nga ora 06:00 e mëngjesit të kësaj dite. “Që nga ora 06:00 e mëngjesit, oficerët e Policisë së Kosovës, që janë pjesë e Task-Forcës Kundër Korrupsionit, kanë bastisur shtatë lokacione, përfshirë banesat private të katër të dyshuarve, ndër të cilat edhe ajo e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe një kompani private”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i. Sipas kësaj komunikate, këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim financiar dhe për korrupsion, ku dyshohet për shpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe pastrim parash. Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. “Një prokuror kosovar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (SPRK), si dhe monitoruesit policorë të EULEX-it dhe një oficer ndërlidhës, qëndruan në Bankën Qendrore për mbikëqyrje, si dhe për të siguruar mbledhjen efektive të provave materiale dhe për t’u dhënë shpjegimet e plota dhe të duhura personave që janë aty”, thuhet në këtë komunikatë.

Nga burime pranë policisë së Kosovës dhe grupit hetimor të EULEX-it, bëhet e ditur se katër punonjës të tjerë janë nën hetim në lidhje me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale në Bankën Qendrore të Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›