Organizohet për herë të parë Divani Lunxhiot
Më shumë se 13 grupe dhe 100 artistë popullorë nga Shqipëria, Greqia, Kosova dhe krahina e Lunxhërisë në Rethin e Gjirokastrës kanë marrë pjesë në edicionin e parë të festivalit “Divani Lunxhiot”. Në tri ditët e këtij festivali ansamble artistike, grupe muzikore dhe polifonike, orkestra popullore tradicionale kanë shpalosur vlera të folklorit të tyre autentik në një skenë të ngritur poshtë degëve të rrapit madhështor në qendër të fshatit Doksat. Në natën e parë të festivalit,“Divani Lunxhiot”, (të enjten në mbrëmje), në “divanin” e këngës tradicionale u ngjitën artistët e grupit popullor “Argjiro” nga qyteti i Gjirokastrës, “Birbili” nga Vlora, “Gurra” nga Gjilani i Kosovës, grupi polifonik i të moshuarve të Lunxhërisë dhe orkestrina popullore e sazeve të Kolonjës. Ndërsa në mbrëmjen e natës së dytë prezantuan vlerat e tyre autentike: ansambli artistik “Dropulli”, grupet popullore vllahe të Andon Poçit nga Komuna e Odries, grupi tradicional i valleve vllahe “fallovriso” nga Greqia dhe fyelltari nga Mallakastra, Fatmir Malaj. Sonte në natën e tretë dhe të fundit të edicionit të parë të këtij festivali do të japin koncert grupi popullor “Oda Dibrane” nga Peshkopia, ansambli popullor “Perama” nga Janina (Greqi) dhe grupi njohur polifonik “Ergjëria” i qytetit të Gjirokastrës. Festivali folklorik “Divani Lunxhiot” do ta mbyllë koncertin e ansamblit artistik “Lunxhëria” me një program ku përfshihen disa nga perlat e folklorit lirik lunxhiot, këngë dhe valle tradicionale, ndërkohë që ky koncert përmbyllës do të shoqërohet me një prezantim të kostumit tradicional “lunxhe”, një veshje e rrallë autoktone e kësaj krahine prerë, qëndisur dhe zbukuruar nga duart e artizanëve lunxhiot këtu e 100 vjet më parë. “Gjatë tri ditëve të festivalit ‘Divani Lunxhiot’, përveç koncerteve janë organizuar edhe veprimtari të tjera shoqëruese, si prezantim i banesave lunxhiote të shpallura dhe ruajtura si ‘monument kulture’, përurim i restaurimit të çezmës 200-vjeçare të Dhoksatit, panairi i zejeve të zonës, ekspozita ikonografike e artistëve Ziso dhe Mario Muzha, çelja e ekspozitës “Udhëtim në Lunxhëri” dhe prezantim i filmit “Lunxhëria ime” përgatitur nga prof. Arqile Bërxholi. Ndërkohë që në disa tryeza bashkëbisedimi është debatuar për angazhimin e të gjithëve në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore të Lunxhërisë”, u shpreh kryetari i komunës, Ilia Kuro. Veprimtaria kulturore tradicionale, “Divani Lunxhiot”, për organizatorët është një objektiv për ta kthyer atë në një veprimtari të përvitshme në shërbim të evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të krahinës së Lunxhërisë. “Nisur nga pasuritë e shumta të trashëgimisë kulturore, historike, shpirtërore dhe materiale të Lunxhërisë, qëllimi ynë është që të mirëpresim çdo vit sa më shumë artistë dhe miq nga vendi dhe nga vendet fqinje, për të promovuar këto vlera dhe për ta kthyer Lunxhërinë në një destinacion turistik”, nënvizon më tej Kuro. Veprimtaria u organizua nga Komuna e Lunxhërisë në Rrethin e Gjirokastrës, shoqata kulturore “Lunxhëria” me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
#